PD zbaton orarin, e mbyll bllokimin e akseve në 20:00. Pati përplasje dhe djegie gomash
Pas tre orësh që bllokuan akset rrugore në 6 nyje nevralgjike, Partia Demokratike dhe e mbështetur nga partitë opozitare, e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes. Drejtuesit më të lartë të PD, deputetët dhe mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar mbikalimin te Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit. Protesta u shoqërua me disa akte të mosbindjes civile, si djegie gomash e koshash të mbeturinave, por nuk pati përplasje me qytetarë të bllokuar në rrugë.
Incidenti i vetëm i rëndë u regjistrua në Tiranë, ku protestuesit dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përplasën me policinë dhe efektivët e FNSH-së për pak minuta te Kthesa e Kamzës. Përplasjet verbale me policinë nuk munguan as në Elbasan, ku Tomorr Alizoti e Ivi Kaso kritikuan forcat e rendit, madje duke i akuzuar se provokuan protestuesit që kishin bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Protesta e kësaj të hëne ishte në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike, rrëzimin e Edi Ramës dhe lirimin e kryetarit të tyre Sali Berisha.