PD zgjedh ekipin e fushatës; Aleatët: Shehu, njeriu i duhur për Dibrën
Gara në Dibër, PD zgjedh ekipin e fushatës
Nga: Redjon Shtylla
Sherefedin Shehu është kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për Bashkinë e Dibrës. Ai do të lërë postin si deputet i Qarkut Dibër, për një tjetër sfidë, përsëri në zonën e tij elektorale. Kryesia e PD-së ka vendosur që Shehu do të jetë kandidati i PD-së, në zgjedhjet e 11 shtatorit. Ndërkohë, nga e majta, përfliten disa emra për kandidat në Dibër, por ende nuk ka një kandidat zyrtar.
Kandidati i PD
Pas zyrtarizimit të kandidatit Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mandatuar ekipin që do të drejtojë fushatën në këtë bashki. Burime nga PD bëjnë me dije se kreu Basha ka caktuar nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka si drejtues të fushatës. Ekipi do të përbëhet dhe nga deputeti Gent Strazimiri, si i deleguar i zgjedhjeve për Qarkun, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, si dhe kryetarja e Forumit të Gruas, deputetja Albana Vokshi, por dhe anëtarin e kryesisë, Kreshnik Çollaku. Sherefedin Shehu është një figurë e njohur politike. Kandidimi i tij pritet të sjellë dhe një kohezion të faktorëve lokalë opozitarë në zonën e Dibrës, në mënyrë që ata të jenë të bashkuar. Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë se, mosmarrëveshjet mes faktorëve opozitarë në Bashkinë e Dibrës, janë sheshuar dhe ata kanë rënë dakord të mbështesin Sherefedin Shehun. Mbështetjen për Shehun e kanë dhënë kolegët e tij, të cilët përmes postimeve në rrjete sociale, janë shprehur pro kandidaturës. Mbështetja nuk ka ardhur vetëm nga kryesia e selisë blu por dhe nga aleatët e PD-së, si nga Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar por dhe nga Aleanca Kuq e zi. Sherefedin Shehu u bë pjesë e politikës në vitin 2005, kur u emërua zëvendësministër i Financave në qeverinë e parë të kryeministrit Berisha. U zgjodh deputet i Qarkut të Dibrës që në zgjedhjet e vitit 2009 por është përballë një moment të rëndësishëm edhe për opozitën, e cila i konsideron zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës si një test për qeverinë e Kryeministrit Rama.
Kandidati i PS
Partia Socialiste ende nuk ka një kandidat zyrtar. Burime nga PS-ja thanë dje se kandidati i aleancës së majtë për zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës do të zyrtarizohet në fillim të javës së ardhshme. Selia rozë thekson se është në proces konsultimi të fundit me strukturat në Dibër, por edhe me aleatët e saj për emrin që do të vendosin përballë Sherefedin Shehut. Deri tani sipas PS janë disa kandidatura të mundshme për kryetar bashkie, mes tyre edhe Drejtori i Tatimeve të Qarkut të Dibrës Dionis Ymeri. Zgjedhjet në bashkinë e Dibrës zhvillohen për shkak të shkarkimit të Shukri Xhelili pas skandalit seksual pak muaj më parë, ku ish-kryebashkiaku i kërkonte favore seksuale një vajze 21 vjeçe për ta punësuar. Shukri Xhelili e ankimoi vendimin e qeverisë për shkarkimin, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, ndërsa aktualisht ish-kryebashkiaku ndodhet në burg.
Reagimet e aleatëve të PD-së
Kreu i PR-së
Mediu: Në Dibër kthehen vlerat njerëzore dhe intelektuale
Partia Republikane ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për kandidaturën. Në një deklaratë për mediat, thuhet se: “PR-ja, mbështet kandidaturën e Profesorit, Intelektualit, Financierit, qeveritarit të ndershëm, deputetit të Dibrës për kryetar bashkie, z.Sherefedin Shehu”. Kreu Mediu është shprehur se, Dibra kthehet tek vlerat e saj njerëzore dhe intelektuale. Duke marrë shkak nga skandali, Fatmir Mediu, ka nënvizuar se pas asaj që ndodhi me ish-kryetarin, zgjedhja e PD-së dhe e gjithë opozitës për të kandiduar z Shehu, tregon respektin që ne kemi për popullin e Dibrës.
Kreu i LZHK-së
Shehu: Kandidatura e duhur për Dibrën
Edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi deklaron se, LZHK-ja mbështet fort, kandidaturën e përbashkët të koalicionit opozitar të z. Sherefedin Shehu për Bashkinë e Dibrës. “Është zgjedhja më e mirë, u shpreh ai. Jo thjesht për opozitën, por për të gjithë popullin e Dibrës. Sherefedin Shehu përfaqëson intelektualin, njeriun e Dibrës, por edhe profesionistin dhe administratorin e mirë të shtetit. Kjo tregon vlerësimin që opozita i ka bërë qytetarëve të Dibrës, që të ketë mundësinë të drejtohet nga një intelektual dhe një njeri me eksperiencë të gjatë administrative. Ky është një shans i madh për qytetarët e Dibrës, por edhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi që të japin një sinjal kthese për rindërtimin e shtetit shqiptar duke filluar me mbështetjen lokale. Do të jetë një ugur i mbarë fitorja e zotit Sherefedin Shehu edhe për zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm për Dibrën por për gjithë Shqipërinë”, përfundon Shehi.
Kreu i AK-së
Spahiu: Çdo kuqezi të votojë Sherefedin Shehun
Përkundër deklaratës se në zgjedhjet e pjesshme lokale për kreun e Bashkisë Dibër, opozita do të ishte e vetme, Aleanca Kuq e Zi ka shprehur mbështetjen. Në një deklaratë për shtyp, thuhet se kjo aleancë do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu. Qëndrimi u shpreh pas regjistrimit në KQZ për zgjedhjet në Peshkopi. Duke e konsideruar Dibrën si testin e parë për rotacionin politik, AK shpreh bindjen se fronti anti-Rama do të fitojë Bashkinë e Peshkopisë. “Të largojmë brekëgrisurit Shukri në Shqipëri”. AK-ja paralajmëroi tubime masive në Dibër deri me 11 shtator, ndërsa apeloi çdo kuqezi të votojë Sherefedin Shehun si kryetar të Bashkisë së Peshkopisë.
KOHA JONË SONDAZH

