”PDIU në zonë gri”, Berisha: Nuk e dimë nëse do bëjë koalicion me PD apo PS
Aksioni revolucionit si në Parlament dhe para Kryeministrisë, nuk e ka të gjithë opozitën me vete. Në protestat e Sali Berishës, mungojnë aleatët e tij besnikë, si Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, së fundmi edhe PDIU-ja.
Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë konferencës të së premtes me gazetarët, ka komentuar edhe koalicionin mes LZHK-së dhe Bindjes Demokratike, duke thënë se kanë dashur të provojnë veten në zgjedhje.
Kurse sa i përket PDIU-së, e cila është afruar me qeverinë, pasi ka dhënë vota në Kuvend për shumë projektligje, Berisha thotë se ende është nga zonën gri dhe do të shohë se nga do të shkojë, nga PS apo me Berishën.
“Nuk besoj se kanë zgjedh një kandidat për Tiranën, por ka një gjë këtu. Pothuajse çdo forcë politike përpiqet të provojë veten në këshilltarë. Do të dijë rekordin e vet elektoral. Ato i dinë sepse kanë garuar të dyja, por tani së bashku mendojnë besoj se mund t’iu rritet. PDIU akoma është në zonën gri, por shoh se nga po shkon. Nuk mund të them se do vijë nga PD apo nga PS”, tha Berisha.