PDIU: Rihyrja e Sheshelit në parlamentin serb, kthim te Millosheviçi
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me vëmendje zhvillimet pas zgjedhjeve në Serbi. Humbja e një prej dy mandateve në parlamentin serb nga shqiptarët e Preshevës përbën një lajm të keq, që tregon se makineria antishqiptare në Beograd ka fituar terren.
PDIU u bën thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, të mbështesin Luginën e Preshevës, e cila po has në një genocid të heshtur. Ardita Sinani, deputetja shqiptare në Serbi, duhet të ketë mbështetjen nga qeveritë e dy vendeve shqiptare për të çuar para të drejtat e Luginës së Preshevës dhe të shqiptarëve të Sanxhakut.
PDIU dënon rifutjen e Sheshelit në Parlament, që është një kthim pas në kohë i Serbisë. Shteti Serb është rikthyer në binomin Sheshel-Millosheviç, si 20 vite më parë. Këto janë këmbana alarmi për vlerat evropiane. Aq më tepër, që kjo fitore u arrit edhe falë votave të serbëve të Kosovës, të cilët nuk duhet të kishin votuar.
PDIU bën thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë territorit të jenë të bashkuar për të çuar përpara kauzat kombëtare edhe në Preshevë.
KOHA JONË SONDAZH

