PDIU: Të lirohen menjëherë 26 protestuesit. Rama nuk shpëton nga Çamëria
Pas tubimit, protestës që u mbyll me përplasje dhe 16 të proceduar, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i ka bërë thirrje policisë të lirojë menjëherë protestuesit, të cilët sipas saj janë 26 dhe që sot tubuan për interesin kombëtar të Shqipërisë. Përmes një deklarate për mediat, PDIU shprehet se dhuna e paprecedentë, ndalimi i tubimit dhe shoqërimi në komisariat i 26 protestuesve të PDIU-së dhe Shoqatës “Çamëria” tregoi edhe njëherë që Qeveria ndjek axhendën greke dhe jo atë shqiptare. Lidhur me takimin mes ministrit jashtëm grek dhe kryeministrit Edi Rama, PDIU-ja thotë se kryeministri sot duhej të ishte shqiptarë dhe vetëm si shqiptarë mungoi.
Deklarata e plotë
Dhuna e paprecedentë, ndalimi i tubimit dhe shoqërimi në komisariat i 26 protestuesve të PDIU-së dhe Shoqatës “Çamëria” tregoi edhe njëherë që Qeveria ndjek axhendën greke dhe jo atë shqiptare.
Vizita e ministrit të jashtëm grek në Tiranë, Nikos Dendias nuk mund të heqë Çamërinë nga axhenda shqiptare.
Shqiptarët e Çamërisë kanë 76- vjet që protestojnë ndaj genocidit më të ashpër në ballkan, ku forcat Zerviste vranë dhe masakrauan një popullsi të tërë.
Absurdi i sjelljes së policisë politike për të ndaluar protestën e sotme, na kujton dhunën e ushtruar të vitit 2004, kur burra pleq u gjakosën në dyert e parlamentit shqiptar, për rezolutën e çështjes çame. Ne nuk na ndal dot askush në betejën tonë që shteti shqiptar të sillet me Greqinë me dinjitet, reciprocitet dhe dije.
Askush nuk mund të ndalë kërkesat tona të kahershme për zgjidhjen e çështjes çame, heqjen e ligjit të luftës, mosfaljen e asnjë cm2 tokë e det të shqiptarëve, mosbërjen e një censusi antishqiptar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e nisi mandatin e tij si kalorës i Çamërisë dhe e përfundoi Kali i Trojës së Greqisë.
Atë nuk e shpëtojnë nga Çamëria, as fjalët e tij në greqisht apo turqisht, as ylli komunist. Ai sot duhet të ishte shqiptar dhe vetëm si shqiptar mungoi. Ne i bëjmë thirrje policisë politike të lirojë menjëhërë 26 protestuesit, të cilët sot tubuan për interesin kombëtar të Shqipërisë.