PD,të rinjtë e gratë ndihma familjeve te braktisura nga qeveria

Qindra pako me ushqime e veshmbathje, ushqime dhe ilace për gjënë e gjallë, shtretër e detergjentë, u shpërndanë sot nga të rinjtë dhe gratë e Partisë Demokratike në familjet që po përjetojnë orë dramatike në Fier e Vlorë. Me dhjetra banorë në krizë mbijetese, ku ende nuk ka vajtur një zyrtar i qeverisë për t’i parë

 

Lidhja Demokratike e Gruas dhe të rinjtë nga Forumi Rinor i partisë Demokratike shpërndanë sot ndihma në zonat e përmbytura të Firit dhe Vlorës. Karvani i ndihmave u ndal fillimisht në fshatin Hoxharë të Fierit ku u shpërndanë edhe pakot e para, kryesisht një kamion me bazë ushqimore për bagëtinë si dhe 70 kuti me ilaçe dhe antibiotikë për bagëtitë në këtë fshat. Ndalesa e dytë të rinjve dhe grave të Partisë Demokratike ishte fshati Ferras i Fierit një nga zonat më të përmbytura. Fshatarë të shumtë të zonave kishin dalë për të pritur ndihmat pasi siç deklaruan shumë prej tyre ndodhen prej ditësh në krizën e mungesës së ushqimeve, veshmbathjeve dhe ushqimit për bagëtinë. Banorët e zonave të përmbytura qëndrojnë me orë në qendrat e fshatrave të tyre në pritje të ndihmave pasi ndodhen në situatë dramatike, të braktisur dhe pa asnjë mbështetje nga qeveria. Qindra prej tyre i dolën para karvanit të ndihmave të Partisë Demokratike pasi ndodhen në kushte mbijetese.

Ndihmat e shpërndara nga Partia Demokratike u përgatitën në pako për më shumë se 250 familje për fshatrat Ferras, Hoxhare dhe Cerven. Ato u shpërndanë për çdo familje nëpër banesë, sipas listës të përgaditur nga vetë fshati, duke pasur prioritet më nevojtarët. Shpërndarja u bë nga të rinjtë e Partisë Demokratike.

Ndalesa e fundit ishte fshati Bishan në Vlorë ku ndihmat nisën të shpërndahen për më shumë se 300 familje të përmbytura. Të rinjtë dhe gratë e PD-së shpërndanë rreth 2.5 ton miell, mbi 1 tonë makarona, rreth 90 krevatë portativë, një kamion me ushqim bagëtish, qindra pako me veshmbathje, por edhe artikuj të tjerë si detergjentë, qumësht, patate, vaj, veshtje për fëmijë, fasule etj.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi vizitoi me dhjetra familje të dëmtuara të cilat ende nuk kanë amrrë asnjë ndihmë nga shteti si ato në fshatin Hoxharë. Familjet Shehaj e Turtulli e shumë të tjera, ishin ende nën ujë dhe asnjë zyrtar a përfaqësues i qeverisë nuk i kishte vizituar.

Deputetja Vokshi evidentoi se ka një mungesë të madhe ndihmash në zonat e përmbytura dhe ato që kanë ardhur po ndahen në mëyrë selektive. "Siç pohojnë banorët ka mungesë ndihmash të çdo lloji madje edhe selektivitet në ato që arrijnë të shpërndahen. I bëj apel kryeministrit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të emergjencës civile pasi kjo do të mobilizonte më shumë fonde dhe resurse", tha Vokshi.

Blegtorët u shprehën se bagëtitë e tyre po u ngordhin nga të ftohtët dhe mungesa e ushqimit. Ata falenderuan të rinjtë dhe gratë e Partisë Demokratike dhe kërkuan më shumë vëmëndjen e autoriteteve.

SHKARKO APP