PE, Komisioni i Jashtëm miraton draft-rezolutën për Shqipërinë

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian ka votuar paraditen e së martës draft-rezolutën për Shqipërinë, pas debatit të nisur një ditë më parë. Nga Brukseli bëhet me dije se draft-rezoluta u miratua nga Komisioni i Jashtëm me 51 vota pro dhe 3 kundër. Përgjithësisht, gjatë debatit të së hënës, grupet politike konfirmuan mbështetjen për draft-rezolutën, përfshirë nisjen e shpejtë të negociatave, nëse vendi ynë përparon mjaftueshëm me 5 prioritetet kyçe dhe zhvillon dialog politik të qëndrueshëm. Vlerësimi i raportuesit Knut Fleckenstein për Shqipërinë ishte “gjysmë gote”, sidomos sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar.

Nga 192 amendamente, rreth 140 prej tyre u grupuan në 16 amendamente kompromisi, 9 të tjera u quajtën të pranueshme nga raportuesi, ndërsa u rrëzuan amendamentet e Frontit Nacional dhe eurodeputetëve të tjerë ekstremistë mbi mos-anëtarësimin e vendit në BE. 

 

Debati për Shqipërinë në PE nisi një ditë më parë, apel për bashkëpunim

“Së pari, angazhimi i politikanëve shqiptarë për anëtarësimin në BE mirëpritet nga të gjithë ne, por dua të bëj të qartë se raportuesi i Parlamentit Europian nuk është as zëdhënës i qeverisë së Tiranës dhe as mjet i opozitës shqiptare. Për shkak të kohës, asnjë zhvillim i javëve të fundit, e asnjë aspekt dekriminalizimi që as nuk është ekzaminuar, nuk do të përfshihet në draft dhe çështjen e Kryeministrit Rama do ta diskutoj të mërkurën, kur të  takohem me të”, u shpreh Knut Fleckenstein, raportues për Shqiprinë në PE. – “Mesazhi kyç politik që dua të jap është se konfrontimet politike vënë në rrezik reformat për anëtarësimin dhe është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sundimi i ligjit, krimi i organizuar e korrupsioni mbeten të rëndësishme e kjo lidhet dhe me zhvillimet e muajit të fundit”, tha Kukan. – “Nëse ata nuk negociojnë me njëri tjetrin, e deri tani nuk kemi dëshmi për këtë, mund të shprehemi, por u sugjeroj kolegëve shqiptarë që të mos ulin vlerat e vendit të tyre për çdo mosmarrëveshje partiake. Nga zgjedhjet e 21 qershorit duhet të mbeten të kënaqur qytetarët dhe jo parlamentarët”, tha Fleckenstein. Përgjithësisht, siç pritej pas kompromiseve,  grupet politike konfirmuan më herët mbështetjen për draft-rezolutën, përfshirë për nisjen e shpejtë të negociatave, nëse vendi përparon mjaftueshëm me 5 prioritetet kyçe dhe zhvillon dialog politik të qëndrueshëm. Por, një ditë para votimit, të gjelbrit insistojnë për të përfshirë një amendament të posaçëm mbi ruajtjen e mjedisit, nisur nga projektet për ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë Vjosës, çfarë shkatërron biosistemin, sipas tyre.

“Kompania austriake ka nisur punimet, e bashkë-financuar nga Banka Botërore. Leja për ndërtim hidrocentrali u dha megjithëse ishte anuluar më parë nga qeveria. Këtu ka çështje serioze që mbeten të hapura sepse flasim për ndërtime brenda një zone të mbrojtur”, deklaroi Igor Soltes, eurodeputet slloven.

 Përfaqësuesi i Komisionit Europian mbështeti draft-rezolutën e ndau të njëjtat vlerësime mbi konfrontimet politike, ndërsa raportoi për rezultatet e tryezës së fundit të dialogut të nivelit të lartë. – “Komisioneri tha se është kyçe për Shqipërinë të kryejë një reformë tërësore e gjithëpërfshirëse në gjyqësor, e rëndësishme jo vetëm për rezultatet në sundimin e ligjit por dhe për ekonominë. Komisioni thekson nevojën për një politik serioze dhe koherente për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, me veprime vendimtare që japin gjurmë provash për hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare. Nga ana tjetër, Komisioni nënvizon se Shqipëria duhet të vijojë të forcojë pavarësinë dhe eficencën e administratës publike ku Shqipëria ka bërë mjaft hapa përpara. Komisioni thekson arritjen e dialogut politik, dhe rrezikun në dukje të rritjes së klimës konfrontuese politike, çfarë dëmton imazhin e  Shqipërisë dhe mund të rrezikojë gjithë procesin e reformave, që përndryshe nevojitet të jetë i qëndrueshëm”, u shpreh shefi i njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos.

 

SHKARKO APP