Peleshi: Kemi përjetuar përmbytje më të mëdha
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, si dhe ministra të tjerë të kabinetit u angazhuan sot në terren, për të ndjekur dhe zgjidhur nga afër situatën, e krijuar nga reshjet, në zonat më problematike.
Zëvendëskryeministri Peleshi, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj ishte në fshatin Pllanë të Zejmenit, gjatë operacionit të evakuimit të familjeve që rrezikonin nga përmbytjet. Peleshi u takua me drejtues të pushtetit qendror dhe lokal dhe u interesua për masat që po ndërmerren prej tyre në vijim, në ndihmë të banorëve.
Peleshi u shpreh se reagimi i qeverisë ka qenë në kohën e duhur dhe se masa të tjera do të merren në vazhdim për normalizimin e plotë të situatës.
Zëvendëskryeministri tha se viti që sapo hyri do të jetë viti kur qeveria qendrore do të ndajë përgjegjësinë, kompetencat, por dhe buxhetin me qeverinë vendore për ujitjen dhe kullimin, si dhe do të hartohen një sërë projektesh të rëndësishme në bashkëpunim.
“Kjo është një përgjegjësi mbi 20 vjeçare e gjithë shoqërisë. Natyrisht që qeveritë dhe politika kanë përgjegjësinë kryesore, por në fund të fundit Shqipëria është e përbashkët. Ky është një territor i përbashkët, ta trajtojmë tani e në vazhdim me kujdes. Nuk është çështja se si reagojmë kur ndodh përmbytja. Ne kemi përjetuar përmbytje shumë më të mëdha. Reagimi i sotëm ka qenë në kohën e duhur edhe forca të tjera janë duke ardhur”, theksoi ai.
Numri dy i qeverisë tha se projekte të mëdha do të financohen. “Kemi angazhuar 25 milionë dollarë për pushtetin vendor, për të financuar skemat e ujitje-kullimit. Do të blejmë një sasi prej 30 ose 40 ekskavatorësh që do t’i shpërndahen të gjithë bashkive, të cilat do të krijojnë bordet e tyre të kullimit, sepse kanë marrë përgjegjësinë dhe kompetencën për kanalet sekondare. Do të japim fond të mjaftueshëm edhe për projektet rehabilituese, që ky vit të shënojë një zhvillim cilësor për sa i përket veprave ujitëse kulluese, që do të thotë parandalimin e përmbytjeve”, u shpreh Zevendeskryeministri.
KOHA JONË SONDAZH

