Peleshi: Lejet e ndërtimit në Tiranë, abuzive dhe klienteliste

Zv/kryeministri Niko Peleshi ka dalë në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për pezullimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Lulzim Basha, në kohën kur ishte në krye të bashkisë.

Duke folur nga Korça, Peleshi tha: “Lejet e ndërtimit, në veçanti kohët e fundit, kanë qenë abuzive dhe klienteliste”.

Gjatë fushatës, kryebashkiaku aktual Erion Veliaj premtoi se do të bënte auditin e të gjitha lejeve të ndërtimit të dhëna nga paraardhësi i tij.

Prokuroria e Tiranës bëri të ditur të martën se ka nisur hetimin për lejet e ndërtimit të dhëna nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Organi i akuzës ka nisur verifikimin e të gjitha dokumentacioneve për lejet e dhëna nga Basha, gjatë periudhës Qershor 2013 – Korrik 2014.

Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Mësohet se, grupi hetimor ka depozituar në Bashkinë e Tiranës kërkesën për hetimin e lejeve të ndërtimit, në të cilën Prokuroria thekson se është duke verifikuar shkeljet për mosrespektimin e procedurave për miratimin e planeve të detajuara vendore në 129 raste.

SHKARKO APP