Peleshi në Zagreb, pritet nga krerët e shtetit: Krenarë për rrugëtimin e përbashkët në NATO

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi këtë të enjte një vizitë zyrtare në Zagreb, me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anušić. Qëllimi i vizitës është intesifikimi i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, adresimi i çështjeve aktuale të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe iniciativave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

”Shqipëria dhe Kroacia janë bashkudhëtare në një nga rrugëtimet më të rëndësishme, anëtarësimin në NATO e që këtë vit dy vendet shënojnë 15 vjetorin në NATO, duke qenë krenarë për pozicionin tonë në përmbushjen e detyrimeve për paqen dhe sigurinë tonë të përbashkët”,-tha Peleshi.

Ministri Peleshi vlerësoi qasjen e vazhdueshme pozitive të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë ndaj Kosovës, si një mbështetëse e saj në perspektivën europiane, në anëtarësimin në të gjitha iniciativat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova ka kapacitetet për të kontribuar dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm.

Gjatë kësaj vizite, dy ministrat e mbrojtjes nënshkruan një Memorandum të ri Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, risia e të cilit lidhet me përditësimin e këtij dokumenti me sfidat e reja, përfshirjen dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në lidhje me inovacionin dhe kibernetikën, industrinë e mbrojtjes, trajnimet dhe edukimin dhe shumë fusha të tjera me interes të përbashkët për Forcat tona të Armatosura.

SHKARKO APP