Për herë të dytë Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-LSI, bien paditë për Vlorën
Provat shtesë për qarkun e Vlorës nga Partia Demokratike dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim për 25 prillin, janë rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor, ku zgjedhjet në këtë qark i quan të vlefshme. Të hënën KAS përfundoi të gjitha ankimet për 25 prillin, pasi rrëzoi kërkesat ankimore të PD dhe LSI për Korçën, Elbasanin dhe Fierin, të cilat ishin qarqet e fundit. Kolegji Zgjedhor i konsideron këto ankime të pambështetura në prova dhe ligj.
Përfaqësues i LSI-së në Kolegj, Altin Kaziaj tha se ”Nga dokumentet shtetërore të nxjerra nga KQZ, del sesi disa shtetas kishin ardhur në periudhë ndalimi të pandemisë dhe kishin detyra zgjedhore, ky orientim politik është bërë për të goditur opozitën, që shqiptarët jashtë mos të japin votën e tyre. Ky urdhër ka dalë në mënyrë abuzive për të goditur opozitën, prandaj kërkojmë shpalljen e pavlefshme të këtyre zgjedhjeve, KAS vendosi politikisht. Ne i kemi vënë provat në dispozicion, duam ta pranoni kërkesë padinë”.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso ka përmendur emra konkret të pushtetit vendor në Vlorë, që sipas tij kanë ndikuar në vullnetin e qytetarëve.
“Afrim Qendor, Klodian Troci, Erion Osmanaj me veprime konkrete kanë konsumuar vepra penale të shpërdorimit të detyrës. Këta shtetas kanë përdorur administratën nën presionin për largimin nga puna. Kanë përdorur asete të tjera, legalizime në këmbim të votës. Kanë dhënë edhe para në këmbim të votës si dhe kanë mbledhur karta identitetit. Këto fakte ashtu si janë mbledhur nga strukturat tona dhe janë dorëzuar në SPAK. Këto i kemi paraqitur edhe para jush. Shit-blerja e votës është jo vetëm një konstatim i joni, por edhe një problem i bërë i ditur edhe në raportin paraprak të OSBE ODIHR. Vetë SPAK ka informuar misionin e ODIHR që deri në 24 prill kjo struktura ka në hetim më shumë se 30 çështje që lidhen me shitblerjen e votës. Ka pasur edhe vendimmarrje të tjera në kundërshtim me aktet ligjore”, u shpreh Kaso.
Tashmë radhën e shqyrtimet të ankesave e ka Kolegji Zgjedhor, i cili do të vulosë përfundimisht rezultatin dhe do t’i hapë rrugë certifikimit të tij për të konfirmuar 140 ligjvënësit e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.