Përçarja e PD-së, Ina Zhupa: Skenar i parapërgatitur, brenda 3 ditëve të fundit gjithçka u ndryshua
Mos gjetjen e një gjuhe për bashkimin e dy grupeve brenda PD-së, që në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, të dalnin me një kandidat të përbashkët, deputetja Ina Zhupa thotë se kemi të bëjmë me një skenar të parapërgatitur.
Në një intervistë për ”Euronews Albania”, Zhupa e cila është pjesë e grupit të Berishës, thotë se gjithçka ndryshoi në tre ditët e fundit, ku u vendosën kushte për bashkimin dhe u kërkua zëvendësimi i strukturave aktuale në PD.
”Ne kishim shkuar për të diskutuar sesi do riorganizohej Partia Demokratike. Ne kishim shkuar sesi mund të dilnim me kandidat të përbashkët. Kjo as nuk u respektua, as nuk u dha një mendim. Ajo që ndodhi, ishte që brenda 3 ditëve të fundit, gjithçka u ndryshua dhe mesa duket unë dyshoj dhe nuk dua që ky dyshim të jetë i vërtetë, që ky skenar ishte i parapërgatitur. Të gjithë sot e dimë se futja me një kandidat e një pjese të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që nuk përfaqësojnë as shumicën dhe as demokratët, do ishte vetëm një lloj turpërimi për logon e Partisë Demokratike, për aq kohë sa gjyqi shtyhet dhe ata vazhdojnë ta marrin peng”.