Përdhunimi i të miturës, Duma: Kjo qeveri i turret kujtdo për të zhvendosur vëmendjen
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma u është kundërpërgjigjur deklaratave të papërgjegjshme të kryeministrit, Edi Rama, dhe ministres së Arsimit, Besa Shahini, të cilët për përdhunimin në grup të të miturës, fillimisht nga roja pedofil i shkollës në Babrru, e më pas nga disa të rin,j nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për mosfunksionimin e strukturave shtetërore në parandalimin dhe izolimin në kohë të përdhunuesve.
Përmes rrjeteve sociale, Duma tha se kjo qeveri i turret kujtdo për të zhvendosur vëmendjen, përçmon dhe gjen “armiq” kudo, por veçse jo tek vetja.
“Sipas këtyre fajin e ka gjithë bota; e kanë gazetarët, dëshmitarët, denoncuesit, viktimat por kurrë këta që duhet t’i mbrojnë; por kurrë këta që duhet të mbajnë përgjegjësi! Kur vritet një fëmijë në landfildin e Bashkisë, kur kryepolici dhunon një grua publikisht, kur shkolla lan duart nga përgjegjësia për fëmijën që dhunohet nga mësues, kur përdhunohen fëmijë mendërisht dhe fizikisht brenda shkollës apo prej rojtarëve të llumit, fajin e kanë të gjithë, por jo, këta që nuk mbajnë përgjegjësi. Pastaj i përdorin dhe për “filma” e i mallkojnë siç do tmerroheshin po t’ia mallkonin fëmijët e vet. Përveçse dështon të sigurojë brenda ambienteve shkollore garanci për të mos abuzuar qeveria nuk reagon, as ndëshkon dhe as merr përgjegjësi. Kjo qeveri i turret kujtdo për të zhvendosur vëmendjen, përçmon dhe gjen “armiq” kudo; në media, në shoqëri civile, tek familjet kudo ku dhunohet, por veçse jo tek vetja. Papërgjegjshmërinë e kanë kthyer në rregull! Duhet dhe do t’i largojmë sa më parë!”, u shpreh në reagimin e saj, ish-deputetja demokrate, Grida Duma.