Perdja që fsheh ”skenarët” brenda PD

Nga: Redjon Shtylla

Përjashtimet në PD janë bërë si ”ndëshkimet” në shkollë. Në selinë blu kreu Lulzim Basha është kthyer në mësuesin e ”keq” që del kundër nxënësit aktiv, ndoshta dhe problematik. Përjashtimi i Flamur Nokës si nënkryetar i Komisionit Parlamentar i Sigurisë dhe me siguri ”eleminimi” edhe nga grupi parlamentar i PD, janë sinjale që ”llumi” i cilësuar nga Basha për qeverinë Berisha, do të pastrohet deri në emrin e fundit.

Por a e bën kjo PD-në më të fortë? A rritet Basha dhe merr rreth vetes besimin dhe votën e qytetarëve për të qenë kryeministër i Shqipërisë, pasi një ditë Edi Rama do ta lërë karrigen? Pikëpyetjet janë të shumta dhe korniza e situatës në PD është mëse e turbullt dhe përçarëse.

”Foltorja” e Sali Berishës po bën atë që në këto 8 vite opozitë, Basha edhe bëri edhe dëshmoi. Fryma dhe mobilizimi është i pamohueshëm. Kudo që Berisha po shkel, demokratët shfaqen më të gjallë se kurrë për të rrëzuar qeverinë. Këtu lind pyetja pse mungon kjo frymë kur në rrugë del Basha? A është kreu i PD-së figura e një politikane të edukuar, që qëndron pas kostumit zyrtar dhe nuk përvesh mëngët dhe ulet në tokë me popullin?

Ishte viti 2013 kur Lulzim Basha u votua për të qenë kryetari i ri i PD-së, pasi Sali Berisha dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje. Asokohe Berisha tha ”Lulzim Basha është historia e suksesit të të riut shqiptar në liri dhe që i ka bërë shërbime të çmuara PD-së, vendit dhe kombit të tij”.

Por sot, mendon ndryshe. Madje e quan peng, ish-kryetar, tradhtar, besëthyer. Është një betejë e cila aq sa duket e qartë, aq është enigmatike dhe tepër e paparashikuar. Kundër Bashës apo Ramës është Berisha? Me lëvizjen e ”Foltores” a po kërkon Berisha që të shpëtojë nga hetimet e drejtësisë shqiptare, apo kërkon rrëzimin e Ramës?

Çfarë fshihet pas perdes që lëvizjeve në PD, me përjashtimet që po bën Basha? Nëse vërtet funksionarët që ishin në qeverinë Berisha e sot janë deputetë, pse Basha i bëri pjesë të listave dhe nuk i hoqi siç bëri ndër vite me emrat më të zëshëm në PD?

Kur Lulzim Basha përjashtoi Topallin, Imamin, Patozin, Boden, etj, Berisha nuk foli. As për marrëveshjen me Edi Ramën në vitin 2017 foli, por me gjysëm zëri. Basha spastroi PD, sërish Berisha nuk foli. Pas përjashtimit Berisha po flet për 8 vitet e heshtjes. Perdja e lëvizjeve së shpejti do të mësohet, se kush do të fitojë, mbetet me kohën për ta zbuluar.

SHKARKO APP