Përfundon mbledhja e PD. Bardhi: Socialistët të pranojnë propozimin tonë
Reforma Zgjedhore ishte tema kryesore e diskutimit mes Partisë Demokratike dhe aleatëve. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se nga takimi i sotëm palët janë dakordësuar për propozimet që do të bëjnë për dy çështje kryesore, si financimi i partive politike dhe fushata zgjedhore, dhe administrimi zgjedhor.
“Ne e kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër. Në fakt duhet të ishte Qeveria të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në realizimin e këtij kushti. Bundestagu e ka bërë të qartë që kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike”, tha Bardhi.
Ai akuzoi socialistët që nuk kanë interes të përmbushin këtë kusht të vendosur nga ndërkombëtarët. “Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, për hapjen e negociatave, të tregojë përgjegjshmëri para kushteve dhe kritereve të vendosura nga partnerët dhe të pranojë mekanizmin që kemi propozuar. E kundërta do të ishte thellim i krizës, tregues i papërgjegjshmërisë dhe prova e fundit që tregon se Edi Rama nuk dëshiron integrimin europian të Shqipërisë”.
I pyetur në lidhje me propozimin e socialistëve për ndarjen në dy faza të reformës, Bardhi tha: “Qytetarët duan që të jetë vullneti i tyre që përcakton qeverisjen e vendit dhe jo si ka qenë deri tani që qeverisjen e përcaktojnë paratë e pista apo përfshirja e krimit të organizuar”.
Ndërsa ish-deputetja e LSI, Silva Caka, tha: ” E vetmja masë që merr Edi Rama është një deklaratë e tij personale dhe e dimë shumë mirë që Edi Rama nuk e mban fjalën e tij dhe kjo do të thotë të tallesh me qytetarët shqiptarë.
Kjo është një deklaratë, e cila thjesht presupozon të heqësh dorë nga shit-blerja e votës nuk përbën asnjë llojë serioziteti përsa i përket përmbushjes së këtij rekomandimi. Kështu që opozita e bashkuar është tepër e angazhuar ashtu siç e përmendi dhe kolegu Bardhi për të pasur një produkt jo vetëm konstruktiv, jo vetëm serioz, do t’i shërbejë kauze dhe ky është realisht është një mision historik, por mbi të gjitha do të jetë edhe i shpejtë.
Kështu që nuk më ngelet gjë tjetër vetëm t’iu falënderoj për vëmendjen dhe t’i uroj shumë suksese këtij grupi, i cili është i përfaqësuar si në nivel politik ashtu edhe në nivel ekspertësh dhe teknik.”