Përfundon numërimi në Berat, Maliqi: Blerje masive e votës
Rreth orës 12:20, përfundoi procesi i numërimit të votave për subjektet politike në qarkun e Beratit. Në bazë të rezultateve në 277 qendra votimi, Partia Socialiste ka marrë 42355 vota, Partia Demokratike 23038 vota dhe LSI 8394 vota. Përkthyer në mandate PS mori 5, PD dy dhe LSI nuk mori asnjë mandat. Kandidati i LSI-së, Lefter Maliqi, thotë se ka pasur blerje masive të votave, por do të vazhdojë t’u shërbejë qytetarëve edhe pa mandat.
”Ndihem i privilegjuar që ju kam shërbyer dhe do do t’ju shërbej, edhe pa mandat, por ashtu siç kam bërë gjithmonë, si njëri nga ju që do jem aty kur të keni nevojë.
E vërteta është e mirëkamufluar, por unë e di që kemi të bëjmë me një blerje masive të votave, mirëorganizim me kornizë mafioze, ndaj dhe u prodhua ky rezultat. Këto zgjedhje nuk mund të jenë normale dhe të pranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian.
Gjithsesi, unë pas humbjes ringrihem edhe më fortë, e kam dëshmuar në kohë edhe më të vështira se këto, ndaj do të jem me ju në çdo sfidë që na pret. Respekt dhe mirënjohje të thellë për beratasit e mi, në çdo rrugë, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet të qarkut”.