”Përgatiti shqiptarët për JO nga BE për Integrimin”, Berisha për Ramën: Europa nuk pranon një qeveri që vjedh
Fjala e gjatë e kryeministrit Edi Rama në Kongresin e PS-së, është komentuar menjëherë nga Sali Berisha. Ai tha se fjalimi ishte një parapërgatitje për shqiptarët për një JO nga BE për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Sipas Berishës, Europa nuk mund të pranojë në gjirin e saj një qeveri që shkelmon Kushtetutën dhe që vjedh me koncensionet dhe PPP-të.
“E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një JO për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën. Ajo që ndodh me Belerin është dhunimi më flagrant i të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Dhunim për interesa mafioze, kanë folur për Olta Xhaçkën, jo mo jo, nuk është vetëm Olta Xhaçka, janë Olsi Rama, Edi Rama dhe klanet e tyre që janë vërsulur me tërbim ndaj pronave në Himarë dhe në të gjithë bregun.
Se ne qenkemi në rregull, por se Europa nuk është në rregull. Se Europës njëherë i del një problem diku, një herë një problem tjetër. Çfarë problemi i del Europës kur ne shkelmojmë Kushtetutën tonë? Çfarë problemi i del Europës kur ky firmos 17 vendime në 24 orë për të vjedhur me djegësin e Tiranës deri në 1 miliard? Çfarë problemi ka Europa, kur ky vrapon me një gërshërë të thyer për të promovuar vjedhjen me rritjen 83 herë të çmimeve? Cili është problemi i Europës në këtë rast?
Çfarë problemi ka Europa kur rriten me 25 herë tenderimet sekrete nga zyra e tij? Kanë bërë një ligj, të vjedhin fshehtas. Si qenka problem i Greqisë ky apo problem hipotetik i Europës? Ne rrezikojmë me datën 12 dhjetor të marrim një karton të kuq. Dhe pse? Vetëm e vetëm për shkak të qëndrimeve mafioze të Edi Ramës, i cili interesat e pasurimit të tij, interesat e pasurimit të klaneve të tij, i vendos mbi interesat e të gjithë shqiptarëve”, tha mes të tjerash Berisha.