Përgjimet e “Ndrangheta”-s, Berisha: SPAK-u i partisë do mbyllë hetimet, por Antimafia…
Bisedat e përgjuara nga Antimafia italiane në të cilat flitet për korrupsion me lejet e ndërtimit dhe me koncesionet në Tiranë, tashmë janë në duart e prokurorëve shqiptarë.
Antimafia ka dorëzuar në SPAK materialet e dosjes së saj të cilat po përkthehen për tua vënë në dispozicion prokurorëve që po ndjekin çështjen të cilët po koordinojnë veprimet hetimore me kolegët italianë për të gjetur nëse ka lidhje të grupit mafioz Ndrangheta në Shqipëri.
Por ish kryeministri Sali Berisha nuk ka shumë besim te Prokuroria Speciale.
Sipas tij, SPAK do ti mbyllë hetimet, por një gjë të tillë nuk do ta bëjë Antimafia italiane.
“Dosja e Ndrangheta”-s në Tiranë, në epiqendër Kreu i Meduzës Rama. Natyrisht që do ta mbyllë SPAKU i partisë por kopja e saj gjendet dhe në arkivin e Antimafies së Italisë.
Në mirënjohje të thellë Antimafjies që godet për së dyti mafien shqiptare me në krye Edvin Mafinë”, shkruan Berisha.
Pas publikimit në Ora News dhe më pas në media të tjera të përgjimeve të Antimafias italiane, ku mes të tjerash flitej edhe për lidhje dhe ndikim të organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta” edhe në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nisi zyrtarisht hetimet.
Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK njoftoi një ditë më parë se më 25 janar ka nisur kryesisht procedimin penal.