“Përgjimet”, mblidhet komisioni hetimor. Noka: U cënua rëndë siguria kombëtare
Ka nisur punën këtë të hënë komisioni hetimor parlamentar mbi pajisjen e përgjimit Imsi Cathcer.
Komisioni drejtohet nga deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetar i komisionit të sigurisë kombëtare, Flamur Noka.
Partia Demokratike akuzon mazhorancën se ka përdorur pajisjen në fjalë për të përgjuar deputetët e opozitës dhe diplomatë të akredituar në Tiranë.
Kryetari i Komisonit, Flamur Noka deklaroi në Komision se futja dhe përdorimi i pajisjes së përgjimit nga autoritetet tona është një krim dhe se është cënuar rëndë siguria kombëtare.
Flamur Noka: Rezulton që pikat e marrëveshjes me Interforcën kanë të bëjnë me trajnimet dhe nuk kanë asnjë pikë që flitet që strukturat e policisë së shtetit mund të fusin ndonjë pajisje në mënyrë të paligjshme dhe ta përdorin atë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Në fund nga ana jonë ka rezultuar se është kjo pajisje, mund dhe të jetë përdorur për të përgjuar drejtues shteti, deputetë, politikanë, diplomatë, prokriorë, gjyqtarë, gazetarë, biznesmenë. Nga informacionet që opozita ka disponuar dhe disponon, rezulton se mund të ketë ndërhyrje disa herë në segmentin e aparatit fundor antenë ligjore të pajisjes, çka nënkupton se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e kësaj pajisje.
Është përdorur jo thjesht për praktikë, por për efekte të punës së përgjimit dhe monitorimit. Mjeti sëbashku me pajisjen e montuar ka lëvizur nga një specialist shqiptar i policisë shqiptare në disa pika të territorit të Tiranës dhe vendit. Ka dokumenta që është futur në disa institucione. Mund të ketë kryer dhe ka kryer veprime të pautorizuara dhe pa asnjë urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme.
Pajisja nuk ësktë përdorur vetëm nga oficerët italianë të Interforcës për trajnime. Është përdorur nga punonjës të policisë shqiptare pa praninë e oficerëve dhe autoriteteve italiane.Të gjitha këto fakte dhe prova në dhunim flagrant të Kushtetutës, ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut.Nga ana e autoriteteve tona me futjen dhe përdorimin e kësaj pajisje është kryer krim.Në gjykimin tonë është cënuar rëndë siguria kombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

