Përgjimet nga Policia/SPAK del kundër: S’është model në BE

Prokuroria e Posaçme anti-korrupsion dhe Prokuroria e Përgjithshme janë kundër propozimit për ndryshimet ligjore për përgjimet dhe komitetit kombëtar të parandalimit të luftës kundër krimit të organizuar, ku thuhet se nuk ka mekanizëm kontrollues mbi policinë dhe se s’ka ndonjë referencë apo model nga Bashkimi Europian.

SPAK e cilëson antikushtetues ngritjen e komitetit në varësi të Ministrit të Brendshëm, i cili do të përfshijë edhe Prokurorin e Përgjithshëm dhe SPAK-un. “Përfshirja në këtë komitet e prokurorit të përgjithshëm dhe drejtuesit të prokurorisë së posaçme është në kundërshtim me kushtetutën dhe aktet ligjore në fuqi”.

Sipas argumenteve të depozituara në Parlament, shpjegohet se “Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i SPAK janë funksione të parashikuara në kushtetutë, si të pavarur nga ekzekutive”. Nga ana tjetër, SPAK thotë se dhënia e të drejtës së përgjimit punonjësit të policisë jashtë kontrollit të gjykatës si dhe mospërcaktimi qartë në projektligj se çfarë vlere provuese, përbën një shkelje serioze të lirive e të drejtave të njeriut.

Në rast të përgjimeve parandaluese, SPAK thotë se tashmë ka një bazë ligjore dhe është kreu i Gjykatës së Apelit të Posaçëm që miraton këto kërkesa dhe nuk ka arsye të ketë ndryshim ligjor. Më tej në dokument theksohet se propozimi për procedimin policor me veprime gjurmuese hetimore bie ndesh me legjislacionin pasi të drejtën e hetimit e ka vetëm prokuroria dhe jo policia.

SHKARKO APP