Përjashtimi i gazetarëve nga Kuvendi, Meta: Regjim censure si Lukashenko. Po dëmtohet integrimi në BE
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për vendimin e miratuar në fshehtësi që nuk lejon gazetarët të ndjekin aktivitetet e kryesisë së Kuvendit nga afër, por në një zyrë me kompjuterë që transmetohen në kohë reale aktiv- itetet, por që regjia bëhet nga Kuvendi.
Sipas kreut të shtetit, ky vendim i Kuvendit njëpartiak është i njëjti si reagjimi i Lukashenkos dhe hedh akuza ndaj maxhorancës, duke thënë se po instalon një regjim censure. Po ashtu Meta thekson se të tilla vendime, dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.
”Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë nga Presidenti Meta
I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.
Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.
Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit