Përjashtoi 4 deputetë nga grupi i PD, Alibeaj: Jam përfaqësues i partisë
Pasi ka përjashtuar 4 deputetë nga grupi parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se ai është drejtuesi i partisë pas largimit të Bashës.
”Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës. Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni. Është hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë kanë arsye hallet e tyre personale”.
Nga grupi me firmë të Alibeajt, u përjashtuan: Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj. Alibeaj pretendon se 4 deputetë nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit. Ky vendim erdhi në kohën kur Salianji kishte nisur të merrte firmat për të rrëzuar Alibeaj nga posti dhe për ta marrë ai karrigen, me bekimin e Berishës.