Presidenti Begaj: Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të martirëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se pjesëmarrja në ngjarje të tilla përkujtimore, mbart në mënyrë të pashmangshme peshën e madhe të përgjegjësisë historike për ta parë të kaluarën në sy. Ai i konsideroi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë.

”Ditë si këto, shërbejnë si mundësi për t’i thënë të vërtetat e historisë veçanërisht, brezit të ri, që është këtu prezent. Vilson Blloshmi e Genc Leka ishin dy të rinj që kishin ëndërr poezinë dhe mësuesinë. Por tragjizmi i fatit të tyre, bëri që ata të na mësojnë më shumë pas vdekjes. Që të dy lindën në mars dhe ky ishte një tjetër përkim i trishtueshëm për fatin e dy mësuesve martirë. Në mars, shqiptarët nderojnë figurën e mësuesit dhe përmes tyre, shprehin dashurinë për shkollën dhe edukimin. Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ua ndërprenë ëndrrën për të edukuar brezat e rinj. Me ekzekutimin e tyre në moshën 29 dhe 36 vjeç, u shuan dhe dy poetë antikonformistë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë. Poeti Vilson Blloshmi e kishte parandjerë se “Saharaja s’sheh ëndërra, s’sheh as drurë, s’di të ëndërrojë, s’ka këngë, s’ka as lotë…”. Këto vargje të pabotuara të tij, fatkeqësisht, i mjaftuan regjimit për t’i ndërprerë në mes, ëndrrën më të bukur: atë të jetës”,-tha Presidenti.

Nga ana tjetër, Begaj theksoi se aktivitete të tilla kontribuojnë në ndërgjegjësimin e të rinjve për të shkuarën komuniste të Shqipërisë.

”Ata sot, me shumë të drejtë, konsiderohen zyrtarisht martirë dhe janë dekoruar pas vdekjes. Ato konsiderohen të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. Por, që këto të drejta të mos cenohen kurrë, shoqëria duhet të ndahet një herë e mirë nga e kaluara. Shqiptarët duhet të mësojnë dhe të reflektojnë më shumë për këtë periudhë, e cila ende edhe sot, fatkeqësisht i ndan shqiptarët në “ata” dhe “ne””,-tha më tej Presidenti Begaj.

SHKARKO APP