Përmbytja e qytetit, PD: Refuzimi për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, pabesi e Ramës ndaj Shkodrës

Partia Demokratike përmes ish-deputetit të saj të Shkodrës, Bardh Spahia, ka dënuar me forcë refuzimin e kryeministrit Edi Rama për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, nisur nga vërshimi ujërave edhe në brendësi të qytetit të Shkodrës si rezultat i reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin. Spahia deklaron se refuzimi i Ramës është pabesi që po i bëhet Shkodrës nga ana e tij.

“Ka një situatë të agravuar të përmbytjeve në Shkodër për shkak të reshjeve që vijojnë dhe situata nuk po njeh përmirësim. Pushteti vendor në Shkodër po bën maksimumin për t’u qëndruar banorëve pranë por është lënë i vetëm nga qeveria. Refuzimi i Edi Ramës për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore është pabesi ndaj banorëve të Shkodrës. Janë mbi 4 mijë hektarë tokë e përmbytur dhe uji sic shihet nga pamjet e sotme ka hyrë brenda në qytet. Kjo është situata që Edi Rama refuzon ta konsiderojë! Ai refuzon të ndërhyjë për të ndihmuar në një situatë të tillë. Në 8 vitet e regjimit të tij, Shkodra nuk ka njohur mbështetje por vetëm denigrim nga qeveria e situata mbetet e njëjtë edhe sot, kur banorët kanë më shumë nevojë se kurrë për mbështetjen e qeverisë e cila paguhet me taksat e tyre për t’u kujdesur për ta! Shikoji këto pamje Edi Rama! Situata nuk pret: shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore sepse e ke detyrim njerëzor, e jo përmbushje e mllefit të verbër nga refuzimi politik që të ka bërë gjithnjë Shkodra! Shkodra nuk harron”, deklaroi ish-ligjvënësi i PD-së, Bardh Spahia.

SHKARKO APP