Instituti i Gjeoshkencës: Në qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Fier dhe Vlorë do ketë probleme serioze nga përmbytjet
Edhe pse sot temperaturat janë të larta, ndërkohë në 24 orët e ardhshme do të ketë reshje shiu në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Fier dhe Vlorë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malor dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane do të shfaqen probleme me përmbytje te lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Kërkohet rritje e gatishmërisë të të gjitha strukturave për përballimin e emergjencave të shkaktuara si pasojë e reshjeve të shiut.
Të ndiqen me prioritet çështjet si mëposhtë:
1-Raportimi në kohë dhe në vazhdimësi pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile;
2-Vlerësimi paraprak i situatës si dhe planifikimi për mbështetje duke u bazuar gjithmonë sipas prioriteteve: mbrojtja e jetës së njeriut, pasuritë kombëtare, trashëgimia kulturore, infrastruktura kritike etj;
3-Rritja e vigjilencës dhe reagimi në kohë i strukturave operacionale;
4-Ndjekja në terren nga sektorët e emergjencave në nivel vendor;
5-Njoftimi i popullatës që mund të preket nga emergjenca dhe aktivizimi i planeve të evakuimit;
6-Emergjenca dhe aktivizimi i planeve të evakuimit në rast se është e nevojshme.