Përmbytjet, Berisha: Fatkeqësi që vjen nga dora e hajdutit. Rama i kthen përgjigje në Twitter
Pas vizitës në zonat e Shkodrës, ku ka përmbytje të rënda, kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi sërish qeverinë. Në një konferencë të përbashkët me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, Berisha tha se përmbytjet nuk kanë ardhur nga dora e Zotit, por nga dora e njeriut hajdut, duke nënkuptuar në këtë rast kryeministrin Edi Rama. Për të përmbytjet kanë ardhur nga keqadministrimi i kaskadave.
Po ashtu gjatë konferencës, Berisha bëri të ditur, se gjatë këtyre ditëve Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Ballluku kanë blerë energji me 226 euro për megavat orë në bursë, ndërsa nga ana tjetër kanë shkarkuar mijëra metër kub ujë te Vau i Dejës, që mund të përboreshin mjaft mirë për të prodhuar energji.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave, përmes një reagimi në Twitter. “Si është e mundur që sa gdhihen e deri kur ngrysen bërtasin veç “Vjedhje! Vjedhje! Vjedhje”?! Sepse më shumë se kushdo është hajduti që bërtet kapeni hajdutin dhe këta kanë vjedhur aq shumë sa veç vjedhje shohin pas çdo gjëje“, shkruan Rama në rrjetin social.
Si është e mundur që sa gdhihen e deri kur ngrysen bërtasin veç “Vjedhje! Vjedhje! Vjedhje”?! Sepse më shumë se kushdo është hajduti që bërtet kapeni hajdutin dhe këta kanë vjedhur aq shumë sa veç vjedhje shohin pas çdo gjëje!
— Edi Rama (@ediramaal) November 21, 2022