Përmbytjet/ Rama: Të shqetësuar për motin. Dëme shumë herë më të vogla, kjo falë punës së përditshme

Në konferencën e përjavshme me fokus ekonominë, kryeministri Edi Rama foli fillimisht për përmbytjet, ku tha se parashikimet e IGJEUM janë të sakta, por shqetësuese. Sipas tij, Shqipëria u përmbyt më pak këtë vit, edhe pse reshjet ishin më të mëdha. Për më tepër, Rama tha se qeveria vlerësohet në bazë të asaj që bën por edhe në bazë të asaj që nuk lejon të ndodhë.

”Nuk bën lajm çfarë nuk ndodh por qeveritë vlerësohen jo vetëm për atë që bëjnë dhe reflektohet në atë që duket, por edhe për atë që nuk lejojnë të ndodhë. Bazuar në sasinë e reshjeve me të cilat jemi përballur këtë herë dhe bazuar në shifra krahasimore të sasive të reshjeve në momente shumë kritike të së shkuarës ku reshje më të pakëta kanë sjellë situata katastrofike, ju sjellim pasqyrën e një situate që lidhet me një punë të përditshme dhe të përvitshme. Kanë funksionuar të gjitha hallkat, duke kaluar nga ministri tek kryeplaku, tek ministria e Infrastrukturës, për kaskadën e Drinit, e duke vijuar tek Ministria e Bujqësisë. Është bërë punë e madhe nga strukturat e pushtetit vendor”,-tha Rama.

Sipas Ramës, qeveria shqiptare e ka fituar sfidën e menaxhimit të situatës së përmbytjeve. Për këtë ai falenderoi ministren e Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtorin e KESH, Benet Beci. ”Ndërtimi i Skavicës të cilën ne e kemi futur në proces, do të mbyllë kapitullin e frikës nga shkarkimet e HEC-eve, por derisa të jetë Skavica aty që është rezervuari ujëmbledhës për të mos lejuar që uji të mos shkarkohet dhe të kthehet në energji, sfida e menaxhimit është kryesore dhe ne e kemi fituar këtë herë sfidën e menaxhimit. Kjo falë edhe menaxhimit të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe drejtorit të KESH, Benet Beci”.

SHKARKO APP