Përplasja me BE, Rama: Është fjala për të mbrojtur dinjitetin, ka pasur humbje në përkthim
Kryeministri Edi Rama nga konferenca me mediat ka folur sërish për përplasjen dhe deklaratat e tij nga BE-së, në lidhje me vaksinat anticovid.
Rama ka thënë se ai ka folur në interes të shqiptarëve, teksa shton se këtu është çështja për ruajtjen e dinjitetit dhe njerëzve. Ai ka vijuar më tej duke theksuar edhe njëherë që deklaratat e BE kanë qenë të gabuara për lënien jashtë skemës së vaksinimit në rajon.
Rama: Unë nuk kam bërë asnjë sherr me BE dhe askush nuk më ndalon që të them opinionin tim. Por mos u merrni me opinionin tim, por me deklaratën e OBSH. Po jap një shembull se përse kam të drejtë unë në këtë rast dhe jo ata që kanë reaguar. As ambasada franceze, opozita jo e jo. Shembulli është OBSH, çfarë ka thënë për vaksinat. Kanë shkuar më larg se unë. Ka thënë që jemi në prag të një katastrofe morale për njerëzimit. Unë nuk kam kaq largpamësi që të shprehem me terma globalë që të flas për gjithë njerëzimit. Nëse ju e shikoni të paarsyeshme që unë si kryeministri juaj, përfaqësuesi juaj që të ngre zërin për ju, më vjen keq për ju. Nuk mendojnë kështu të gjithë shqiptarët. Jam i bindur që shumica mendon si unë në këtë rast. Fakti që jemi të vegjël, që nuk jemi të pasur, nuk jemi anëtarë të BE, nuk na bën ne që të rrimë ne me gojën mbyllur përpara një fakti të tillë që është i qartë. Unë nuk jam kryeministri i një vendi të BE, por jam evropian të paktën njësoj me ata që flasin në emër të BE.
Çfarë thashë unë që u mërzitën këta? Çfarë nuk duhet të thoja? Është çështje karakteri. Opozita me reagimin e vet ka treguar karakter të dobët, të atyre që kur kanë pasur pushtetin i janë përulur me servilizëm kujtdo që ka folur gjuhë të huaj. Kjo që unë them nuk do të thotë mungesë respekti. Respektin, admirimin për Francën unë konkurroj me çdo francez, por nuk jemi për këtë këtu. Për më tepër ka pasur një humbje në rrugën e përkthimit, sepse kur kam sjellë në shembull Francën, mund të kisha sjellë edhe ndonjë vend tjetër. Nuk kam dashur të ilustroj me këtë shembull vendimin e KE, që është një vendim i gabuar. Ata kanë të drejtë të na thonë ne sa herë që gabojmë dhe i falënderojmë, edhe ne kemi të drejtë tu themi kur gabojnë në raport me ne. Këtu është fjala për të mbrojtur dinjitetin, njerëzit.