Përplasja tek Astiri, Balliu: Policia hodhi gaz lotsjellës në ambiente të mbyllura, goditën me gurë banorët
Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu ka akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë barbare ndaj banorëve të Astirit dje gjatë aksionit për prishjen e 33 ndërtesave, në kuadër të zgjerimit të Unazës së Re.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Balliu tha se policia përveçse hodhi gaz lotsjellës në ambiente të mbyllura, ku kishte fëmijë dhe të moshuar, sulmoi me gurë banorët
“Zona e Unazës është rrethuar në orën 04:30. Në orën 6:20 deputetët ishin në zonë. Dhuna që nisi atje nuk është pritur. Nuk kanë qenë banorët që kanë sulmuar. Gëzim Sadikja ( nje prej banoreve te dhunuar) ka dalë më duar lart, policia ka dalë nga furgonin dhe ka dhunuar. Ata janë goditur brenda në ambient të mbyllur, ku ka pasur gra e fëmijë e të moshuar. Kanë hedhur pa masë gaz. Policët kanë goditur me gurë banorët. Afera është kokë e këmbë korruptive. Kishin një urrejtje ndaj këtyre banorëve. Ata arritën në mënyrën më heroike dhe stoike që në një vit, për çdo ditë ata ishin aty. Ata arritën të çmontonin korrupsionin. I kemi nxjerrë videot. I kanë tërhequr zvarrë. Urrejtja ishte e madhe për ta që nuk u tërhoqën nga shtëpitë. Shkëlzen Sadikaj, i arrestuar dhe dhunuar barbarisht, sot ndodhet pas hekurave. Ata banorë mund të bënin ç’të donin në pronën e tyre, pasi po u cënohen prona e tyre. Dashnorët e pushtetarëve me portale, që punojnë në Kryeministri, dalin dhe mbrojnë idenë se kauza e unazës ishte e drejtë. Kur ne shkuam në zonë, ajo ishte e rrethuar. Policia që ka sulmuar banorët nuk është ajo që ishte tek Shqiponja. Korrupsioni me projektin, nuk ka asnjë të ndaluar. Unë jam i pandehur, nesër në prokurori”, tha Balliu.