Përplasje fizike mes Braçes dhe Salianjit në sallën e Kuvendit
Përplasje fizike mes Erion Braçes dhe Ervin Salianjit në sallën e Kuvendit, ndërhyn garda.
Ndërkohë seanca plenare është ndërprerë pas akuzave e deklaratave të forta të deputetit të PD, Ervin Salianji, ndaj deputetit të PS, Erion Braçe.
“Kjo hipokrizia sikur këtu ka disa gra ministre e deputete bëjnë të prekurat për një fjalë që nuk prek askënd, kurse kur kryeministri i drejtohet kryetares së parlamentit për mbarimin e fjalës, i kthehet. Ka 10-fishuar pasurinë e saj dhe bashkëshortit të saj zonja Bushka. Prandaj del dhe bën këtu si engjëll, por nuk është engjëll. Zotëria, parafolësi im ka marrë 40 milionë euro me tendera. Ky zotëria që del dhe bën si më i shqetësuari, është në përgjimet e prokurorisë italiane, për Rezart Taçin. A je ti zv.kryeministri që del në përgjime. Mos m’u drejto mua si kone”, tha Salianji.
Braçe, i cili ishte nisur të dilte nga salla e parlamentit, është kthyer dhe ka tentuar t’i afrohet për ta qëlluar, nga ana tjetër dhe Salianji është afruar, por ka ndërhyrë Garda e Republikës.
Pas rinisjes së seancës, Braçe u është përgjigjur akuzave të Salianjit duke i thënë “shpifës që paguhesh me para cash!”
” Unë nuk akuzova askënd, tani në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata dhe jo shpifës por komplotues në kurriz të nderit të njerëzve. Dokumenti i përgjimit të Rezat Taçit mban datën 18 tetor 2021, unë e zotëroj të plotë dhe atëherë unë nuk kam qenë zv.kryeministër. Që në shtator kur është betuar qeveria unë kam qenë deputet. Që të jemi të qartë. Ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri te tjerët dhe do jua provoj që paguhen me cash. O e kam denoncuar unë ARMO-n, o s’ka fol njëri në këtë sallë dhe madje e kam kallëzuar edhe në prokurori. Aty e keni ARMO-n varr të hapur të një korrupsioni politik. Unë s’kam folur kurrë me Taçin dhe as jam takuar kurrë me atë njeri”, tha Braçe.