Përplasje me Policinë/ Maturantët: Besa dil përjashta! Pse ke frikë? (FOTO)

Vijon protesta e maturantëve të Tiranës para Ministrisë së Arsimit. Situata është tensionuar, pasi ka ndërhyrë edhe Policia e Shtetit. Ata deklarojnë se janë penalizuar nga testi i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i cili ka pasur pyetje jashtë programit. Maturantët kërkojnë sqarim nga ministrja e Arsimit.

“Besa dil përjashta. Pse keni frikë. Hape derën. Duam mundësi për rivlerësimin e provimit, mos vlerësim për pyetjet jashtë programit. Ky provim na kushton shkollën”. Gjimnazistët u ulën këmbëkryq dhe bllokuan lëvizjen e makinave për disa minuta.

Me pankarta në duar, djem dhe vajza dëgjohen të brohorasin “Ministria e Turpit”. Në postime të shumta që qarkulluan përgjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, maturantët shprehën pakënaqësitë e tyre rreth tezës së formuluar, të cilën e cilësuan të vështirë dhe me pyetje abstrakte apo që gjendeshin jashtë programit.

Në protestë, maturantët kërkojnë mundësi për rivlerësimin e provimit, uljen e katofit (skemës së pikëve) të vlerësimit dhe mosvlerësim të pyetjeve jashtë programit. Mësohet se dy maturantë kanë hyrë brenda godinës së Ministrisë, ku po zhvillojnë një takim me përfaqësues të saj.

SHKARKO APP