Përplasje në Kuvend/ Spiropali: Qepe gojën ose dil dhe përballu. Rudina: Mos bjer në nivelin e shefit që lexon mesazhe

Seanca e kësaj të enjte nisi me debate të forta. Deputetja Rudina Hajdari dhe Elisa Spiropali janë ”përplasur” me njëra-tjetrën. E para e mori fjalën Hajdari, e cila tha se Shqipëria është një vend i korruptuar. Referuar propozimit të maxhorancës, ajo e konsideroi një mashtrim hapjen e listave dhe u shpreh se PS-ja ka frikë nga populli.

”Koha juaj ka mbaruar, ka mbaruar sot sepse e shikoj në sytë e shqiptarëve, që duan një të ardhme më të mirë në këtë vend. I takoj çdo ditë dhe ndjej në sytë e tyre që koha juaj ka mbaruar. Sot keni treguar që jeni ata njerëz që në kryefjalën e këtij parlamenti ekziston vetëm mashtrimi dhe pandershmëria. Pyes veten se si gjithë këta njerëz të mirë përfaqësohen nga ju. Kjo pandershmëri arriti kulmin, ku PS-ja ka bërë propozimin për hapje listash por që nuk ishte e tillë. Edi Rama ishte ai që i pa shqiptarët në sy dhe nga ky Kuvend tha listat do të hapen. Ky mashtrim i Ramës do të rënditet si një nga mashtrimet më të mëdha që është bërë në këto 30 vite. Ju keni frikë nga populli. Nuk i dilni dot përballë që të zgjedhin ata. Ju keni frikë nga qytetarët shqiptare”,- tha Hajdari.

Kurse Spiropali tha se Hajdari nuk është votuar nga populli por ka dalë nga listat e Partisë Demokratike. Ministrja u shpreh se Hajdari duhet ta qepë gojën dhe t’i vërë frerë, ose të dalë të përballet me votimin e popullit, për të parë se deri kur arrin.

”Nëse do të flasësh këtu për lista dhe për zgjedhje, ti nuk je e votuar. Ti ke hyrë në Kuvendin e Shqipërisë si e votuar por nga lista e PD-së. dil në votim, dhe pije detin Rudina. Ta shohim se ku do dalësh. Do dalësh matanë apo në breg të lumit. Shko bëji në një vend tjetër ato. Mbaj përgjegjësi për familjen tënde. Unë u habita që nuk i’u referove rezolutës në asnjë gërmë nga ato që the. Ne kemi ngritur institucionet e reja të drejtësisë mbi ato të kalburat. Do të ishte mirë t’i përmendje edhe këto. Duhet patjetër të theksonit se ç’është bërë në Kuvend dhe nga kjo maxhorancë, për Reformën Zgjedhore”,-tha ministrja.

Për replikë, Hjadari iu drejtua Spiropalit me tone të ashpra teksa shtoi se ajo nuk duhet të binte në nivelin e ”shefit”, kryeministrit Edi Rama. ”Mos bjer në nivelin e shefit tënd që të lexosh mesazhe nga shefi yt. Unë po dal për dinjitetin tënd që ti të mos rrish pas shefit tënd dhe t’i servilosesh atij. Jeni të korruptuar dhe këtë gjë nuk e shpik unë, por e thotë çdo raport ndërkombëtar”,- tha Hajdari.

SHKARKO APP