Përse mund të arrestohet Sali Berisha për 21 Janarin? Nga Mero Baze
Nga Mero Baze
Sali Berisha është i vetmi zyrtar që ka konsumuar direkt veprën penale të pengimit të hetimit dhe prishjes së provave për atë që ndodhi më 21 Janar. Prokuroria e Shqipërisë nuk ka nevojë për asnjë hetim të thelluar, për të kërkuar fillimin e ndjekjes penale, pasi ekzistojnë faktet publike të përpjekjes për devijim të hetimit, prishje të provave dhe më pas pengim të hetimit të bërë vet prej Sali Berishës.
Akti i vrasjes së katër qytetarëve nga Garda e tij rreth orës 16:00 mbasdite, mund të kishte ndodhur dhe pa urdhër të tij, madje dhe më keq akoma, mund të kishte kaluar situata në anarki. E rëndësishme është që pas kësaj të zhvilloheshin hetimet dhe të dilnin përgjegjësit.
Problemi që ka Sali Berisha e 21 Janarin nuk është ajo që ndodhi në Bulevard, por ajo që ndodhi pas Bulevardit. Nëse Berisha do t’i kishte lënë të lira hetimet dhe drejtësinë, ai nuk do të ishte kaq i përfshirë në krim dhe kaq i identifikuar me krimin e 21 Janarit. Por, ai ka konsumuar tri veprime që e penalizojnë atë rëndë.
Akti i tij i parë, është ai i orës 19:30 të datës 21 Janar, kur ai bëri akuzë me zërin dhe figurën e tij që protestuesit i vrau opozita me njerëz të futur mes saj, me çadra pistoletë dhe thika me helm. Kjo është deklarata zyrtare para medias, e shqiptuar prej tij. Ky verison u ishte dhënë pak orë më parë edhe disa mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët e mbështetën këtë version.
Ky është një akti pastër penal, që ka të bëjë me devijimin e hetimeve në mënyrë të qëllimshme.
Pas mesnatës, kur u zbuluan pamjet e vërteta se si gardistët e tij vranë qytetarët, ai ndryshoi qëndrim dhe shpalli versionin e Puçit të shtetit. Deri këtu ngelemi në fjalë, por në mbasditen e 22 Janarit, ai ka urdhëruar policinë dhe më pas e ka mbrojtur dhe publikisht, që të mos dorëzoj gjashtë gardistët e akuzuar për vrasje në Prokurori. Ky është akt zyrtar. Kryeministri ka marrë përsipër mosdorëzimin tek drejtësia të gardistëve dhe e ka komentuar këtë kërkesë të Prokurorisë, si skemë për rrëzimin e qeverisë, pasi do t’i ikte “zinxhiri komandues i Gardës”, një term i shpikur prej tij për të justifikuar verbalisht veprën penale që po kryente. Kundërshtimi i një urdhëri të Prokurorit në një situatë të tillë përbën vepër të pastër penale, për të cilën duhet të merret si i pandehur.
Akti i tij i tretë, janë prishja e provave. Sali Berisha nuk i ka dorëzuar Prokurorisë fillimet e serverit të Kryeministrisë që kishte të arkivuar filmimet brenda territorit të kryemnistrisë të gjithë asaj çfarë ka ndodhur. Ai ka urdhëruar fshirjen e tyre në mesnatën e 21 Janarit duke u gdhirë 22 Janari dhe kjo përbën një akt të pastër të prishjes së provave, me vetëdije për të mos u gjykuar.
Këto janë të treja akte personale, të konsumuara prej tij dhe që përbëjnë secila prej tyre vepër penale. E para, ka devijuar hetimet me qëllim fshehjen e krimit, e dyta ka kundërshtuar urdhërin e Prokurorisë për dorëzimin e gjashtë gardistëve dhe e ka mbrojtur publikisht këtë akt. Dhe e treta, ka fshirë serverin e Kryeministrisë.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se ka nisur një hetim i ri prej policisë për këto fakte dhe ia ka çuar Prokurorisë për të vepruar, por ajo nuk ka vepruar. Hetimi I plot është ridërguar në Korrik dhe është plotësuar në Nëntor, porn ë vend të hetimeve, kryepokruori ka trasferuar Ramadan Trocin, I cili e la në sirtar pa e prekur dosjen. Ky është një fakt rëndues për Prokurorinë që tregon se ajo është e kapur prej Sali Berishës në këtë rast. Biles ajo as ka guxuar ta thërras për pyetje një prej të akuzuarve nga hetimi I ri, Agron Kulicin, I cili së bashku me Burgaj janë nën akuzë për mosdorzim të gjashtë gardistëve dhe prishje të provave. Por është e qartë se pavarësisht kësaj, Prokuroria duhet të marrë të pandehur Sali Berishën, për këto tri akte penale të tij. Dhe në cilësinë e të pandehurit ta hetojë atë, qoftë dhe në gjendje të lirë për këto akte. Adriatik Llalla duket që nuk ka ndërmend ta bëjë edhe pse faktet që po rendis më lartë janë flagrante me zë dhe figurë shqiptuar nga vet Sali Berisha. Nëse kjo shumicë e ka vërtetë betejë 21 Janarin, ajo duhet ta kthejë atë në betejë vendimtare për qëndrimin ndaj Prokurorisë. Pra, ose Adriatik Llalla duhet të hapë hetimet për Sali Berishën për këto tri çështje ose shumica duhet ta shkarkojë. E di që nuk mjafton vetëm shkarkimi i shumicës, pasi duhet ta firmosë dhe Bujar Nishani. Por le t’ia lënë në derë Bujar Nishanit ta mbrojë për këtë shkak. Por të paktën, të dihet që po rri Kryeprokuror për shkkak të krimit të Sali Berishës më 21 Janar dhe marrëveshjes për të mos e prekur atë dhe jo për shkak se po bën detyrën. Shumica duhet të shkojë deri tek muri për 21 Janarin dhe jo të na e tregojë atë nga larg.
Marrë nga Gazeta "Tema'
KOHA JONË SONDAZH

