Përse po sulmohet nga portalet investimi gjigant në Kakome dhe biznesmeni Luan Leka?

Gjiri i Kakomesë është një nga perlat e bregdetit shqiptar. Përveç bukurive përrallore, ai njihet edhe si një vend i shënjuar nga konflikte disavjeçare, mes shtetit shqiptar dhe disa personave që pretendojnë pronësinë mbi këtë tokë. Historia e Kakomesë, ka qenë rregullisht në fokus të mediave dhe portaleve. Shpesh, ajo ka ardhur tek publiku, shumë e ngatërruar, shume e zhurmshme, e pakuptueshme. Ko histori është shumë më e thjeshtë sesa duket.

Fshatarët e Nivicës, i kanë humbur të gjitha proceset gyqësore, duke filluar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2008 deri në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2012, ku edhe është mbyllur përfundimisht, ligjërisht ky “konflikt” mes tyre dhe shtetit. Më pas, shoqëria “Riviera Kakome”, në pronësi të ortakëve Luan Leka dhe Dritan Çelaj, ka blerë nga Agjensia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit sipërfaqen prej 29.07 hektarësh. Ky proces është shqyrtuar nga organet dhe gjykatat kompetente, të cilat kanë konkluduar në ligjshmërinë e plotë të tij.

Në vitin 2017 Bashkia Himarë, ka lëshuar disa akte pronësie, të njohura si AMTP (akte të marrjes së tokës në pronësi) për një sipërfaqe, e cila përfaqëson më pak se 1% të sipërfaqes së truallit në pronësi të shoqërisë Riviera Kakome. Gjithsesi, procesi i dhënies nga një njësi vendore si Bashkia Himarë, është tërësisht në kundërshtim me ligjin, dhe madje përgjegjësi i Zyrës së Mbikqyrjes dhe Manaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë është dënuar me 1 (një) vit burgim, në lidhje me këtë proces.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pavarësisht kësaj, kjo sipërfaqe e papërfillshme nuk ndikon në zbatimin e projektit ambicioz, për ta shndërruar Gjirin e Kakomesë në një nga investimet më të rëndësishme për turizmin elitar në Shqipëri. Kjo është historia e thjeshtë, e Gjirit të Kakomesë dhe konflikteve që e kanë shoqëruar. Sot, konflikti mbi këtë pronë, nuk është më ligjor, sepse ai ka përfunduar. Sot, ky “konflikt” është virtual. Sa më shumë afron data për nisjen e ndërtimit të tij, papritur shtohen flakët virtuale. Jemi në muajin gusht 2021. Është një stinë shumë e nxehtë dhe shpesh e vështirë për portalet e panumërta që kanë mbirë në Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjiri i Kakomesë është në fokus të tyre dhe bashkë me të edhe investitori kryesor në këtë projekt, Luan Leka, që gëzon reputacion, si një nga sipërmarrësit më seriozë në vendin tonë të trazuar. Ndërkohë mësohet, se lidhur me këto artikuj, sipërmarrësi Luan Leka, do t’i drejtohet Gjykatës, duke depozituar padi për shpifje. Në fund ka një lajm të mirë, Investimi në Gjirin e Kakomesë nuk do të jetë virtual, si shkrimet në portale, por një nga projektet më ambicioze të turizmit në Shqipëri. Reagimi i plotë i përfaqësuesve ligjorë të sipërmarrësit, Luan Leka:

E VËRTETA MBI KAKOMENË

Në ditët e fundit, portali Pamfleti.net, ka sulmuar dhe shpifur padrejtësisht në drejtim të Z. Luan Leka dhe shoqërisë Riviera Kakome. Fatkeqësisht, pjesë nga artikujt e Pamfleti.net janë shpërndarë edhe nga disa media të tjera elektronike. Z. Luan Leka ka mandatuar zyrën ligjore Tashko Pustina për të ngitur padi ndaj ketij portali. Në cilësinë e përfaqësuesve ligjorë të Z. Luan Leka në këtë çështje të ardhshme gjyqësore, dëshirojmë të informojmë publikun mbi pavërtetësinë e plotë të artikujve të portalit Pamfleti.net në lidhje me çështjen Kakome dhe z. Luan Leka.

Pronësia e truallit të Gjirit të Kakomesë

Më datë 23.06.2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi zhvillimin e një strukture turistike në gjirin e Kakomesë. Në vijim Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit nënshkroi me shoqërinë “Riviera” shpk (sot “Riviera Kakome” shpk) marrëveshjet e zhvillimit dhe të qerasë për përdorimin e një trualli në pronësi shtetërore për 99 vjet. Në atë kohë, nisja e punimeve u pengua nga banorët e fshatit Nivicë, një fshat malor i ndodhur rreth 7 km larg Gjirit të Kakomesë. Banorët e fshatit Nivicë pretendonin njohjen e pronësisë mbi këtë truall.

Në vitin 2006, subjekti “Bashkëpronësia e Fshatit Nivicë” i është drejtuar Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Vlorë duke kërkuar njohjen, kthimin dhe kompensimin e një sipërfaqeje trualli në Gjirin e Kakomesë, sipërfaqe e cila ndërkohë ishte në pronësi shtetërore. Komisioni, me Vendimin nr. 204, datë 18.07.2006, rrëzoi kërkesën e subjektit “Bashkësia e fshatit Nivicë”.

Bashkësia e fshatit Nivicë e ankimoi vendimin e Komisionit të Qarkut Vlorë, pranë Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Agjencia, me vendimin nr. 244, datë 07.09.2007, hodhi poshtë kërkesat e Bashkësisë së Fshatit Nivicë duke mos njohur bashkëpronësinë e Bashkësisë së Fshatit Nivicë mbi truallin në Gjirin e Kakomesë.

Bashkësia e Fshatit Nivicë e ankimoi Vendimin nr. 244 në rrugë gjyqësore. Padia e Bashkësisë së Fshatit Nivicë u rrëzua në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe Vendimi nr. 244 i Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, i cili njeh pronën si pronë shtetërore, është lënë në fuqi nga të gjithë shkallët e gjyqësorit, konkretisht me vendimet e mëposhtme:

Vendimi nr. 7153, datë 28.07.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
Vendimi nr. 786, datë 15.06.2009 i Gjykatës së Apelit Tiranë;
Vendimi nr. 362, datë 07.07.2011 i Gjykatës së Lartë.
Vendimi nr. 75, datë 15.06.2012 i Gjykatës Kushtetuese.

Blerja e pronës

Në vitin 2012, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 10186, datë 05.11.2009 “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, shoqëria Riviera Kakome e zotëruar nga ortakët Dritan Çelaj dhe Luan Leka, në cilësinë e personit juridik të stimuluar, ashtu siç ishte rasti për të gjitha shoqëritë e tjera, të cilat gëzonin statusin e personit të stimuluar në zona të ndryshme me përparësi turizmin, ka blerë nga Agjensia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit sipërfaqen prej 29.07 hektarësh. Ligjshmëria e këtij procesi, është shqyrtuar nga organet dhe gjykatat kompetente, të cilat kanë konkloduar në ligjshmërinë e plotë të tij. Për më tepër, institucioni shtetëror përkatës, në cilësinë e shitësit, ka garantuar blerësin Riviera Kakome, në lidhje me pronësinë e plotë që shitësi gëzonte mbi pronën në momentin e transferimit të pronësisë së saj tek blerësi.

E vërteta mbi disa akte të marrjes së tokës në pronësi të lëshuara në vitin 2017

Në vitin 2017, Bashkia Himarë ka lëshuar disa akte të njohura si AMTP (akte të marrjes së tokës në pronësi) për një sipërfaqe trualli, e cila përfaqëson më pak se 1% të sipërfaqes së truallit në pronësi të shoqërisë Riviera Kakome. Gjithsesi, procesi i dhënies së këtyre akteve nga një njësi vendore si Bashkia Himarë, ka qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin, dhe madje përgjegjësi i Zyrës së Mbikqyrjes dhe Manaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë është dënuar me 1 (një) vit burgim, në lidhje me këtë proces.

Janë pikërisht përfituesit e këtyre AMTP-ve abuzive dhe në kundërshtim me ligjin, të cilët sipas një informacioni të dhënë nga mediat, kanë bërë kallëzimin drejtuar SPAK, dhe nga ku SPAK sipas informacionit nga mediat, ka vendosur që këtë kallëzim të këtyre personave, t’ia dërgojë për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Siç është shpjeguar më sipër, pavarësisht se çdo individ gëzon të drejtën të bëjë pafundësisht kallëzime apo të ngrejë pretendime, në fakt konflikti mes banorëve të Nivicës dhe shtetit në lidhje me pronësinë e tokës, është gjykuar në mënyrë shteruese nga gjykatat e të gjitha niveleve, duke hedhur poshtë përfundimisht pretendimet e banorëve të fshatit Nivicë.

Projekti i ri turistik në Gjirin e Kakomesë

Mungesa e sigurisë juridike, dhe pamundësia për të gëzuar në mënyrë të qetë pronën e blerë në mënyrë të rregullt nga Riviera Kakome, kanë penguar realizimin e investimeve të rëndësishme në Gjirin e Kakomesë. Shtojmë këtu se shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura dhe me reputacion si Club Med, apo Blu Serena, pasi kanë shfaqur interesin e tyre, janë detyruar të largohen më pas, si pasojë e këtyre konflikteve.

Grupi i investitorëve vendas i përbërë nga shoqëria Riviera Kakome, Luan Leka, shoqëria Agikons dhe Dritan Celaj, edhe me mbështetjen e bankave, janë në pragun e nisjes së një investimi prej rreth 70 milion Euro në Gjirin e Kakomesë. Projekti i ri parashikon ndërtimin e një resorti turistik hotelier, me 5 yje, me një kapacitet prej 375 dhoma. Ky projekt është më i madhi sot në rivierën shqiptare. Operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë si Hilton, Accor, Barcelo dhe Radisson, kanë paraqitur interesin e tyre dhe jane parakualifikuar për të menaxhuar këtë resort hotelier.

Ndërkohë është për të ardhur keq, që Pamfleti.net dhe disa media elektronike, kanë dizinformuar, në lidhje me këtë çështje, duke dëmtuar projektin dhe rrezikuar që investitorët e interesuar të kenë të njëjtin fat me Club Med dhe Blu Serenen duke penguar në këtë mënyrë zhvillimin e zonës. Ndër të tjera, këto shpifje kanë dëmtuar edhe figurën e Z. Luan Leka, i cili është nga një investitorët më të hershëm dhe me më reputacion në Shqipëri, si dhe një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend me shoqëritë, në të cilat ai gëzon interesa. Shoqëritë e grupit të Z. Leka punësojnë mbi 1000 persona, dhe janë shoqëri kryesisht prodhuese, të cilat asnjëherë nuk kanë përfituar, por vetëm kanë kontribuar në fondet dhe paratë publike. Projekti i Gjirit të Kakomesë përfaqëson një angazhim të madh dhe serioz, dhe sigurisht ky projekt do të sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm në sektorin e turizmit dhe zonën, në të cilën ndodhet prona.

Marrë nga /TPZ/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?