Personi i akuzuar prej Kryemadhit mohon të ketë lidhje me ngjarjen
Tonin Fizi është personi të cilin Monika Kryemadhi e akuzon se ka qëlluar mbrëmë afër makinës së saj në Lezhë. Por në një reagim për Ora Neës, Fizi thotë se është ndjerë i befasuar kur ka parë emrin e tij në televizor. Ai pretendon se në momentin e ngjarjes ka qenë në një pikë llotosh në qytetin e Lezhës.
“Të vërtetën në radhë të parë duhet ta sqarojë ajo dhe drejtësia shqiptare, ajo e ka forcën. Unë kur e kam marrë vesh kam qenë duke luajtur bixhoz dhe kam mbi 20 dëshmitarë, ke kamerat dhe faturat. Unë kam kujtuar se po talleshin shokët e mi dhe kur jam kthyer e kam parë me të vërtetë emrin tim. Me më thanë se i kam vesht e mëdhenj, po mi ka falë Zoti, po të më thuash vrasës me pagesë!!
Kam shkuar vetë në polici, më kanë mbajtur 2 orë, më kanë pyetur. U kam thënë më futni në burg të përjetshëm, më pushkatoni si në kohën e Enver Hoxhës nëse me gjeni një fakt. Ndërsa unë kam kamera, 20 dëshmitarë ku kam qenë dhe prapë jam unë në televizor duke u akuzuar se kam dalë nga makina e Aldo Bumçi pa e njohur, nuk kam folur kurrë në telefon me të, e njoh vetëm si fytyrë. Dhe armën pa leje e njoh vetëm përmes filmave të Rambos”.- ka thënë Fizi.
Në një reagim shumë të vonshëm nga policia e Lezhës, thuhet se për ngjarjen janë shoqëruar disa persona dhe se po punohet për zbardhjen e plotë të saj.