Përurohen godinat e reja në “Qytetin Studenti”, Veliaj: Me kushte shumë herë më të mira

Pesë godina të reja, me standarde evropiane, i shtohen “Qytetit Studenti” në Tiranë. Transformimi i konvikteve të studentëve vjen falë mbështetjes financiare të Qeverisë Gjermane, përmes Bankës KfW, ku përfshihet edhe rikonstruksioni i 15 godinave të tjera, me programin “Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”. Nga ky investim përfitojnë më shumë se 2.600 studentë shqiptarë, çka përmirëson ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës dhe të studimit.

Gjatë ceremonisë së përurimit, ku mori pjesë Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën gjermane, Thilo Schroeter dhe përfaqësuesi e Bankës gjermane për Zhvillim KfW, Stephan Opitz, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky investim në bashkëpunim me qeverinë gjermane ofron një realitet të ri për të studentët. “Sot nuk po përurojmë 5 ndërtesa, nuk po bëjmë 5 fjalime, sot nuk po tregojmë si u shpenzuan 5 para, por kemi bërë që fillimi të jetë i lehtë për 666 studentët e parë, – mbi 30 studentët e Kolegjit të Europës dhe studentët e tjerë shqiptarë – të cilët, do të kenë të njëjtat kushte, të njëjtin standard, të njëjtin administrim, si në të gjitha kolegjet e Bashkimit Europian”, tha Veliaj.

Ai shtoi se finalizimi i kësaj pune i shkon për shtat aspiratës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por edhe ritmit të bashkisë në mbylljen e projekteve. “Gjermania është donatori më i madh sot dhe duhet ta pranojmë këtë. Ka rekorde që i thyem në lojërat olimpike, po ky është rekordi ynë për përfundimin e shpejtë të punëve të shpeshta që ne bëjmë së bashku. Ky fryt sot i është përgjigjur asaj aspiratës ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’”, shtoi ai më tej.

Kryebashkiaku iu përgjigj edhe kritikëve në lidhje me kushtet, të cilat i cilësoi më të mira se në konviktet e Berlinit. Ai u bëri thirrje studentëve që të tregohen bashkëpunues për të mirëmbajtur ambientet.

SHKARKO APP