Përvjetori i katërt i “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”, Meta: Do vijoj të punoj për mobilizimin e rinisë

Sot në Presidencë u mbajt një takim për 4-vjetorin e themelimit të “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”. Presidenti Ilir Meta vlerësoi kontributin e vyer të Aleancës, duke përsëritur apelin për një ndërgjegjësim sa më të madh të opinionit publik dhe të dhuruesve vullnetarë që të mbështesin këtë nismë humane dhe fisnike për të përmbushur kërkesat e fëmijëve talasemikë si dhe të gjithë pacientëve të tjerë shqiptarë, të cilët kanë nevojë jetike për gjak.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe institucioneve të pavarura, Të nderuar përfaqësues të shoqatave e forumeve, Të nderuar personalitete të fushës së shëndetit publik, Të dashur dhurues vullnetarë të gjakut. Është kënaqësi të jemi sot për të kremtuar një ditë të rëndësishme: Përvjetorin e katërt të themelimit të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, që do ta përshkruaja me dy fjalë: “Flaka e dashurisë dhe e solidaritetit, që nuk do të shuhet kurrë”. Nuk e keni jetuar të sotmen derisa të keni bërë diçka për dikë, që nuk mund t’jua kthejë kurrë”. – ka thënë shkrimtari anglez John Bunyan (Xhon Banjën) Mendoj që Aleanca me dhuruesit vullnetarë të gjakut e kanë bërë të vetën këtë thënie, me të gjithë filozofinë e saj, me aktin e tyre human të dhurimit të gjakut.

Të japësh pa marrë asgjë në shkëmbim-ky është thelbi i Aleancës sonë. Nuk do ta harroj se shtysën e parë për themelimin e kësaj Aleance e mora nga një personalitet që për fat të keq nuk është sot midis nesh, Musa Zenelaj, ish-Kryetar i Shoqatës së Talasemikëve. I jam mirënjohës z. Zenelaj, jo vetëm sepse me dedikimin e tij më nxiti të themeloja Aleancën për Dhurimin e Gjakut, por edhe pse, përpjekjet e tij të vazhdueshme, për të ndihmuar të sëmurët talasemikë dhe për t’jua përmirësuar jetën, janë të pasqyruara më së miri, tek mbesa e tij Ermela, që sapo është bërë nënë dhe ndodhet këtu bashkë me vogëlushin e saj.

Aleanca për Dhurimin e Gjakut u krijua pikërisht për të ndihmuar fëmijë apo të rinj talasemikë, si Ermela dhe shumë të tjerë, që, jo për faj të tyre, kanë lindur talasemikë dhe që kanë nevojë të vazhdueshme për gjak. U krijua për të ndihmuar pacientë të tjerë, që kanë nevojë për gjak, për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, të traumave të ndryshme, të komplikacioneve gjatë lindjes apo për shkak të aksidenteve.

U krijua për të nxitur kulturën e dhurimit të gjakut, nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të shoqërisë sonë, por edhe për të nxitur vullnetarizmin e solidaritetin, duke ju drejtuar kryesisht të rinjve dhe të rejave. Arsyet pse e themeluam këtë Aleancë janë po aq të vlefshme edhe sot, dhe ne do të vazhdojmë akoma më shumë të punojmë për t’i përmbushur ato. Arritjet e këtyre 4 viteve na dëshmojnë një punë të jashtëzakonshme, impenjim dhe përkushtim në rritje të dhuruesve vullnetarë e të përhershëm të gjakut.

Është punuar shumë e në mënyrë të vazhdueshme për të ndryshuar mentalitetin për dhurimin e gjakut dhe për të shtuar të rinjtë si dhurues vullnetar e të përhershëm. Ndihem krenar dhe falenderues për mijëra të rinj e të reja, disa prej të cilëve janë sot këtu, që i janë bashkuar kauzës sonë duke u bërë dhurues të përhershëm, sidomos në momentet më të vështira dhe delikate. Është dhënë ndihma e jashtëzakonshme nga Aleanca veçanërisht në momente të vështira, si stina e verës apo situata emergjente e Covid-19. Nga të gjitha institucionet shëndetësore u pranua se, vera e vitit 2018, viti kur filloi aktivitetin Aleanca, ishte vera e parë pa probleme serioze në mungesa gjaku.

Po ashtu gjatë pandemisë Covid-19, Aleanca dha një ndihmë të jashtëzakonshme në furnizimin me gjak për fëmijët talasemikë dhe për rastet e urgjencës, përmes mobilizimit, kryesisht të të rinjve, që dolën dhe dhuruan, kur të gjithë ishin të mbyllur në shtëpitë e tyre nga virusi i rrezikshëm. Asgjë nga këto që përmenda nuk do të ishte arritur pa punën, impenjimin, përkushtimin e mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Aleancës.

Prandaj falenderoj nga zemra të gjitha shoqatat, institucionet shëndetësore, institucionet arsimore, bashkitë, organizatat rinore dhe personalitetet, që janë pjesë e Aleancës dhe që kanë dhënë kontribut për të, gjatë këtyre katër viteve. Falenderoj në mënyrë të veçantë komunitetet fetare, komunitetet e të huajve, shoqatat dhe individët e shumtë, që edhe pse nuk kanë qenë pjesë zyrtare e Aleancës kanë dhënë kontribut vazhdimisht.

Ky është aktiviteti i fundit me Aleancën për Dhurimin e Gjakut, në funksionin tim si President i Republikës, por aspak i fundit si qytetar i angazhuar i këtij vendi. Në të gjithë karrierën time të ardhshme, do të vazhdoj të kontribuoj si dhurues i gjakut i përhershëm dhe si promovues e mbështetës i bindur i kësaj kauze shumë të rëndësishme humane.

Do të vazhdoj të punoj fort për mobilizimin e të rinjve e të rejave për t’i bërë ata, brezin e ri të dhuruesve vullnetarë e të përhershëm; për politika më të mira nxitëse, mbështetëse e inkurajuese për dhuruesit familjarë, për t’i kthyer ata në dhurues të përhershëm të gjakut dhe për ngritjen e një rrjeti të gjerë solidariteti për dhurimin e gjakut në gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Aleancës për Dhurimin e Gjakut. Sepse siç ka thënë Mahatma Gandhi: “Mënyra më e mirë për të gjetur veten, është të humbasësh veten në shërbim të të tjerëve!”

SHKARKO APP