Peshk për një vend pune, SPAK ”shkrin” Ministrinë e Brendshme (VIDEO)
Nga Redjon Shtylla
SPAK-u ka lëshuar prangat për kryetarë bashkie dhe zv/ministra, por mund të shkojë edhe tek ministrat. Tani më nuk është çudi, por gjithmonë nëse do të ketë guxim. Aksioni i fundit që është ende i freskët është arrestimi i ish-zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda, e cila për 1 mijë euro, 2 telefona dhe një arkë me peshk, doli e gatshme për të punësuar një zonjë pranë Departamentit të Administratës Publike, si specialiste. Korrupsioni qeveritar nuk është i padëgjuar, por të kërkosh vend pune me një arkë peshku është e padëgjuar, ose në qoftë se çmimi i peshkut do të ketë qenë më njoshës sesa një tender.
Sipas përgjimeve të SPAK-ut, më 13 shkurt 2020 avokatja Florida Beu dhe Rovena Voda zhvilluan një takim. ”Nuk të bëjë dot shefe, por mund të të fus specialiste diku”, mësohet t’i ketë thënë Voda. Më pas ajo ka telefonuar dikë në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do e rregulloj specialiste.
Më pas është futur në lojë avokatja nga Durrësi, Majlinda Hasani, e cila ka folur me Floridën dhe sipas SPAK, Beu i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf. Nga përgjimet e SPAK, dëgjohet se pas këtij momenti Majlinda të ketë thënë “se leku e hedh ujin përpjetë” dhe se “tani Rovena na përgjigjet menjëherë”. Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë me peshk. Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marr dhe një aparat telefon.
SPAK-u po kalon në sitë çdo qelizë të Ministrisë së Brendshme, që për 8 vite ka ndërruar 4 ministra, se nuk është post i lehtë dhe largimet vijnë pas dosjeve të rrezikshme. Mjaftojnë të përmendin Saimir Tahirin, apo dhe largimin e fundit të Sandër Lleshajt, pas protestave për vrasjen e Klodian Rashës.
Nuk është vetëm rryshfeti i Vodës e vetmja dosje që SPAK ka zbuluar. Skandali i abuzimit nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit vijon të jetë një nga temat kryesore të këtyre ditëve. Në pranga janë vënë 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, pasi dyshon se kanë abuzuar me tendera. Bëhet fjalë për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me një vlerë rreth 23 milionë euro, por si shprehen edhe vetë policët, me këto uniforma në verë plasin vape, kurse në dimër thajnë së ftohti.
Tenderi i uniformave të policisë është bërë pjesë e akuzave politike vitin e shkuar. Në korrikun e 2020-ës, disa deputet të opozitës parlamentare depozituan në SPAK kallëzimin penal për këtë tender ku në qendër akuzave vunë ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ky i fundit ka thënë se ”nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe mbi të gjitha kurrfarë autoriteti ligjor për të ndërhyrë në asnjë procedure konkrete prokurimi të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara”.
Një nga ministrisë më kryesore të vend, tashmë është kthyer në një vend krimi për SPAK-un, i cili mund të zbulojë në ditët në vijim edhe dosje më kompekse.