Peticioni kundër ambasadores Kim, ish-ministri Mustafaj: Gafë e atyre që e organizojnë
“Mjaft është mjaft”, shkruhet në një peticion online, ku ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim akuzohet se po intimidon PD dhe po ndërhyn në votimet e brendshme, referuar zgjedhjeve që po bën Rithemelimi. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, thotë se është një nismë e nxituar, pasi ambasadorja Yuri Kim përfaqëson SHBA-të në vendin tonë. Po ashtu ai tregon se në bisedat që ka patur me miqtë e tij në PD, i kanë thënë se nuk do e mbështesin këtë nismë.
Pjesë nga biseda
Xhokaxhi: Duket sikur kemi hyrë në një marrëdhënie të re qytetare me SHBA. Qytetarët kanë nisur një nismë në rrjetet sociale, ku po mbledhin firma për një peticion kundër ambasadores Kim, të cilat do t’ia nisin DASH?
Mustafaj: Për mua është rruga e papërshtatshme për t’i përcjellë DASH pakënaqësinë e një grupi njerëzish. Ata që marrin nisma të tilla harrojnë që ambasadorja përfaqëson vendin e saj. Unë nuk di vende të tjera të kenë bërë këtë rrugë, për ndonjë ambasador amerikan.
Xhoakaxhi: Sa e nxitur politikisht mund të jetë?
Mustafaj: Nuk e di, kam parë që figura nga PD apo opozita kanë thënë se nuk do ta mbështesin një nismë të tillë.
Xhokaxhi: Gjithçka erdhi pas dy reagimeve, e para me gjestin që Berisha bëri ndaj Alibeajt, dhe e dyta ndaj akuzave që Berisha bëri ndaj ambasadores amerikane për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë?
Mustafaj: Ambasada amerikane, SHBA dhe BE janë nxitësit dhe mbështetësit e Reformës në Drejtësi, pra nuk është hera e parë e ndërhyrjes së ambasadores Kim. Nuk vlen më të merremi me komentet se çfarë bën ambasadorja. Për mua kritikat duhet të merren ndaj gjyqtarit, jo ndaj ambasadores.