Petrit Malaj: Mik, mentor dhe bashkudhëtar i mirë, një shkodran “par excellence”, fisnik e zemërqeshur. Një shpirt i bukur, mbrujtur me madhështi e humor të thellë
Nga Petrit Malaj
Ka kohë të çuditshme si këto që kalojmë, të cilat bashkë me lajmë të hidhura e dramatike të një përditshmërie krejt të pazakontë, të japin edhe goditje të tjera, të cilat nuk i pret e as nuk je gati t’i pranosh! U shua një tjetër far i familjes së madhe të artistëve tanë. Një far aspak i zakonshëm, por i tillë që drita i duket prej së largu e nuk do të mund t’i shuhet askurrë.
Mik, mentor dhe bashkudhëtar i mirë, një shkodran “par excellence”, fisnik e zemërqeshur. Një shpirt i bukur, mbrujtur me madhështi e humor të thellë. Një mendje e hapur, e bukur po aq, ngarkuar me urtësi dhe dije të rrallë.
Rikard Ljarja, zgjodhi të largohet pa zhurmë e bujë, në një kohë kur vëmendja është tjetërkund e të gjithë rendin t’i fshihen se padukshmes. Sikur kërkoi t’i vidhej rrezikut e të shkonte në paqe në rrugën e vet, pa bezdisur askënd.
Ky profesionist i madh, u bë pilastër i dhjetëra produksioneve filmike, regjisor e aktor i paimitueshëm, i dashur e i adhuruar për shumëkënd. Statura e tij atërore, zëri kumbues dhe loja e tij e jashtëzakonshme, bënë qe çdo film e rol t’i kthehej ne emblemë dhe për publikun të kthehej në një hëro.
Kujtimet s’më lënë të qëndroj askund, rrjedhin pa pasur ndërmend të ndalojnë,…fjalët janë sa të tepërta, aq edhe shumë pak!… Për mua, mik dhe koleg, vëlla i madh dhe udhërrëfyes, shok dhe baba, diti t’i bënte të gjitha me elegancë, skrupuj dhe mençuri, si rrallëherë di t’i bëjë njëherësh një njëri me famë. Madhështia e tij më bën sot t’i përulem bashkë më shumë e shumë artistë e njerëz të thjeshtë. Kështu, në këtë mënyrë po kaq të çuditshme si kohët që kalojmë, pa u përshëndetur as për herë të fundit, pa u parë e pa u mbledhur si zakoni i shqiptarit e do. Kjo ikje pa zhurmë e bujë, pa ceremoni e formalitete, e bën më të prekshme dhimbjen, më të rëndë ndarjen e më të pamëshirshëm boshllëkun dhe heshtjen, si ato që lë pas shkëputja ndër yjësi e një ylli të madh e plot dritë! Pata fatin ta kem pedagog, koleg dhe mik, ndaj s’mund të shpreh me fjalë boshllëkun që po na krijon largimi i tij. Ikën një aktor i përmasave të mëdha për kinemanë, që meriton nder e respekt si pak të tjerë dhe kjo kohë që po kalojmë me pandeminë nëpër këmbë bën që ai të ikë në heshtje ndoshta kështu donte. Duke mos patur mundësi ta përcjellim, ndjej se duhet t’i them dy fjalë: I dashur Rikard, hyre në shtëpitë e çdo shqiptari, dhe le një emër, një figurë dhe nje zë që nuk do harrohen kurrë . Gjithë jetën do jem mirënjohës ndaj teje. Pata fatin të jem i përzgjedhuri jot në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, e të luaj krah teje tek “Viktimat e Tivarit”. Jeta na godet e na shtyp shpirtin, por arti na kujton gjithnjë se nje shpirt e kemi të gjithë.
Lamtumirë i madhi Rikard!
KOHA JONË SONDAZH

