Petrit Vasili i përgjigjet Bardhit: Rrugëve janë lëshuar thashethemexhinj të pazarit Rama-Basha

Është mbyllur përfundimisht koalicioni PD-LSI! Në dy ditët e fundit kanë dalë në dritë mosdakordësitë mes dy partive kryesore të opzitës për zgjedhjet e 25 prillit.

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, doli në një deklaratë për mediat menjëherë pasi numri dy i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi nga selia blu që “nuk ka pasur dakordësi nga kryetarja e LSI për një listë të përbashkët në zgjedhje”.

Vasili tha se “thashethemaxhinj e zëdhënës të pazarit Rama-Basha janë lëshuar mediave për të përzierë e për të fshehur e për të krijuar alibi për këtë Pazar“.

Deklarata e Petrit Vasilit:

Të nderuar qytetarë dhe qytetare, jemi këtu së bashku në këtë komunikim me vendimin e prerë për të mos heshtur më. Mediave shqiptare e rrugëve janë lëshuar thashethemaxhinj e zëdhënës të pazarit Rama-Basha për të përzierë e për të fshehur e për të krijuar alibi për këtë pazar, e duke dashur të zënë me gojë dhe LSI.

Në respekt të qytetarëve, mijëra qytetarëve opozitarë të cilët me ndershmëri deshën ndryshimin është momenti për të thënë të vërtetat e mëdha siç janë e për të mos heshtur më.

E vërteta e madhe është që s’ka pasur kurrë qoftë dhe një propozim të vetëm zyrtar nga partia e Lulzim Bashës për mandate, për numra mandatesh e gjëra të kësaj natyre.

Anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike janë aty, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë aty, le të thonë a kanë parë ndonjë propozim të tillë?

E nëse ka një propozim të tillë zyrtar, këtë dokument le t’ja vënë në dispozicion mediave shqiptare që ta njohin por një dokument i tillë nuk ekziston dhe faqja e zezë për ata që mashtrojnë pasi kanë shitur interesat e opozitës ditën për diell.

Së dyti, një vendim shumë i rëndësishëm dhe shumë i rëndë siç qe djegia e mandateve ndodhi dhe LSI e mbështeti këtë vendim pas garancive mashtruese të mëdha për të ashtuquajturin plan gjerman për zgjedhje të parakohshme të paraqitur nga Lulzim Basha si një garanci totale për realizimin e këtij plani.

Por cila ishte e vërteta? Ky plan kishte vetëm garancinë e Edi Ramës për vazhdimin e kapjes së shtetit dhe në radhë për kapjen e pushtetit legjislativ dhe parlamentit shqiptar. Pra, e gjithë kjo aferë ishte thjesht dhe vetëm një mashtrim i poshtër.

Bojkotimi i pushtetit lokal, mbështetëm këtë veprim politik, se sërish u vu në tavolinë që plani gjerman vazhdon për zgjedhje të parakohshme dhe garancitë janë të mëdha. Në fakt ishte sërish një mashtrim tjetër i poshtër. Ky plan kishte vetëm miratimin e Edi Ramës dhe të asnjë ndërkombëtari në funksion të kapjes së pushtetit të fundit nga Edi Rama që ishte pushteti lokal.

Dhe këtu LSI përveçse mbështetjes luajale nuk bëri asgjë tjetër, ndërkohë që mashtruesit e planit Basha-Rama u vunë në funksionim të dorëzimit të të gjitha llojeve të pushteteve në Shqipëri e për të realizuar kapjen totale të shtetit në grusht në shkëmbim të interesave financiare tepër të rënda dhe të rëndësishme reciproke të të dyja palëve në këtë pazar.

SHKARKO APP