Petrit Vasili: Inceneratorët, pandemia dhe qeveria e drejtësia të vdekura e të kapura si armike të qytetarëve
Politikë E Mërkurë, 5 Janar 2022 14:14
Nga Petrit Vasili:
Inceneratorët, pandemia dhe qeveria e drejtësia të vdekura e të kapura si armike të qytetarëve!
Inceneratorët janë tashmë një dosje e zezë publike dhe pronë e të gjithë shqiptarëve.
Janë një korrupsion qeveritar i dimensioneve qindra milionëshe dhe i strukturuar në formën e qartë të një grupi kriminal.
Çdo shqiptar e ka shumë të qartë krimin që kanë konsumuar, që nga Rama, Veliaj e të gjithë të tjerë me radhë, ministra e kryetarë bashkie.
Ky grup i struktuar qeveritaro-kriminal vazhdon dhe i paguan inceneratorët pra praktikisht paguan heshtjen, gojën e mbyllur dhe arratinë e pronarëve të tyre.
Por vetëm SPAK i telekomanduar ka mbyllur sytë duke u bërë pjesë e aferës me mosveprimet dhe vonesat e veta të qëllimshme.
SPAK është shndërruar realisht në një organizëm të kapur dhe të vdekur, që mbulon korrupsionin në vend se ta luftojë në mënyrë ballore atë u jep kohë të inkriminuarve të mbulojnë gjurmët, faktet e provat.
Pandemia ndërkohë vazhdon me ritme të frikshme duke dëmtuar shumë rëndë shëndetin e shqiptarëve.
Ajo është bërë një tragjedi që ka hyrë në çdo familje duke lënë gjurmë të rënda dhe të pashlyeshme në zemrat, në shëndetin dhe ekonominë familjare.
Përballë kësaj pandemie ndodhet një qeveri e vdekur, demagoge dhe e korruptuar deri në palcë, që u pasurua dhunshëm edhe përmes pandemisë.
Një qeveri që i la vetëm shqiptarët.
Që i bëri ata që të shpenzojnë dhjetëra milionë euro nga xhepat e tyre. Që grabiti miliona euro me tendera sekrete. Që fshehu dhe fsheh mijëra vdekje. Që nuk teston qytetarët. Që nuk ju rimburson barnat mijëra qytetarëve që trajtohen në banesë.
Një qeveri e pacipë që vetëm llomotit shprehjen ” kështu ndodh në të gjithë botën”.
Përballë kësaj qeverie të vdekur e të kapur është një Drejtësi po kaq e vdekur dhe kapur, që vetëm mbulon aferat e qeverisë dhe nuk mbron as ligjin e as interesin publik.
Këto janë të vërteta kaq të mëdha sa as më fanatikët dhe më symbyllurit nuk i mohojnë dot.
Të gjithë, pa dallim, janë njëlloj të vjedhur nga qeveria dhe të gjithë po vuajnë viktimat e shëndetin e prishur prej pandemisë së lënë në mëshirë të fatit.
Sot përballja pa kompromis, fort dhe deri në fund me këtë qeveri është totalisht legjitime si e vetmja rrugë për të çliruar vendin dhe veten nga pushteti mafioz dhe i pamëshirshëm rilindas, që nuk kursen as jetën e njerëzve të thjeshtë.
Çdo veprim tjetër, kompromis apo pazar me rilindjen veçse betonon pushtetin e mafies dhe të drogës, që është armik i betuar i qytetarëve dhe i të ardhmes së tyre.