Petrit Vasili: LSI do të keshillohet nga Global Security and Innovative Service
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, në një prononcim për mediat para nisjes së seancës plenare, është pyetur nga gazetarët në lidhje me ndryshimin e buxhetit të LSI-së në mbledhjen e fundit të Kryesisë së kësaj force politike.
Vasili tha se LSI ka vendosur që për një periudhë disamujore të asistohet nga një kompani konsulence e mirënjohur amerikane e quajtur, Global Security and Innovative Service, që do të këshillojë LSI-në për çështjet madhore siç është reforma në drejtësi, çështjet që kanë të bëjnë me transparencën, me zhvillimin ekonomik të vendit, çështje të sigurisë, politikat e zhvillimit bujqësor, etj.
“Ne kemi marrë një vendim i cili është në faqen tonë online dhe të cilin ju keni pasur vëmendje që ta konsultoni. LSI është e vetmja parti politike në vend , e cila ka iniciuar një proces transparence të financave të saj, të cilat janë publike në faqen zyrtare të LSI-së. Për shkak të kësaj transparence ju jeni të njohur me buxhetin e LSI dhe zërat e ndryshëm të tij. Në këtë kuadër, ju bej me dije se ka pasur një ndryshim të buxhetit të LSI-së brenda ekuilibrave të buxhetit që ne kemi. LSI ka vendosur që për një periudhë të shkurtër disamujore të asistohet nga një kompani konsulence e mirënjohur amerikane, Global Security and Innovative Service. Kjo kompani do të këshillojë LSI-në për një periudhë të shkurtër, në mënyrë të veçantë për çështjet madhore siç është reforma në drejtësi, çështjet që kanë të bëjnë me transparencën, me zhvillimin ekonomik të vendit, çështje të sigurisë, që janë një shqetësim i madh mbarëbotëror, çështje që kanë të bëjnë me politikat e zhvillimit bujqësor, politika të zhvillimit të transportit”, – u shpreh z. Vasili, duke shpjeguar se LSI ka vendosur të asistohet në nivelin më të mirë të mundshëm për çështje të rëndësishme.
“Janë çështje që kërkojnë një asistencë dhe një këshillim të kualifikuar. Për këtë LSI ka vendosur që të asistohet në nivelin më të mirë të mundshëm dhe për këto arsye brenda buxhetit që ajo disponon, ka vendosur që të vërë një pjesë të këtij buxheti, ta shpenzoje për këshillim te kualifikuar dhe sondazhe mbi çështje me ndjeshmëri të lartë publike. Konsulenca nga kjo kompani e mirënjohur bëhet për të qenë gjithmonë e më koherente në politikat dhe në çështjet që shqetësojnë vendin, ku siç theksova dominojnë reforma në drejtësi dhe çështjet e zhvillimit ekonomik, por dhe ato të sigurisë”, – deklaroi Petrit Vasili gjatë komunikimit të tij me median.
BIRN: LSI, 30,000 USD në muaj lobuesve Amerikanë/ Replika: I duam për konsulencë
Të dhënat të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA tregojnë që kreu i LSI Ilir Meta ka lidhur një kontratë me Global Security and Innovative Solutions LLC, GSIS, me një faturë mujore prej 30 mijë dollarësh. (Kliko këtu për të parë dokumentin)
Qëllimi i kësaj kontrate sipas dokumenteve të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA është “edukimi i qeverisë Amerikane dhe zyrtarëve të saj nëpërmjet kontakteve dhe komunikimit në lidhje me zotimin e LSI për implementimin e reformës në drejtësi.”
Kontrata ka gjithashtu për qëllim “përmirësim e ekonomisë shqiptare dhe forcimin e qasjeve të sigurisë dhe programeve të sigurisë ushqimore.”
GSIS është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë, ku përfshihet ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan, dhe David Aguilar ish kreu i departamentit të Doganave dhe Kufirit në SHBA.
E pyetur nga BIRN në lidhje me kontratën, Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet një deklarate të shkruar tha se kompania e konsulencës është kontraktuar pas një vendimi të kryesisë, e cila ka autorizuar Zëvendëskryetarin Petrit Vasili të ndjekë realizimin e marrëveshjes me kompaninë amerikane Global Security and Inovative Services.
“Në bazë të kësaj Marrëveshjeje, GSIS do të këshillojë dhe konsultojë LSI-në, drejtuesit dhe përfaqësuesit e saj mbi çështje të rëndësishme në interes të vendit,” tha LSI.
“GSIS do të këshillojë LSI-në mbi politikat, angazhimin dhe vendosmërinë e saj për implementimin e reformave të rëndësishme për vendin, veçanërisht reformën në drejtësi, transparencën, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, çështjeve të sigurisë, si dhe zhvillimin e bujqësisë dhe programet e sigurisë ushqimore, transportit, etj. LSI do të këshillohet për strategjitë e komunikimit mbi çështje strategjike në interes të vendit dhe intensifikimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë,” shkruhet në përgjigjen e LSI. (Kliko këtu për përgjigjen e plotë)
Sipas LSI kontrata me GSIS është e përmuajshme, me të drejtë rinovimi dhe zgjidhje. Të ardhurat për mbulimin e kontratës vijnë nga “buxheti i shtetit, kuotat e anëtarësisë dhe donacione, në përputhje me ligjin për Financimin e Partive Politike.”
LSI saktëson se në buxhetin e saj të vitit 2016, ka parashikuar fonde për mbulimin e kësaj kontrate për një periudhë tre-mujore, pas së cilës do të vendoset nëse ajo do të vazhdohet më tej.
“Me Vendim Kryesie në fund të vitit 2015 dhe të bërë publik, në të cilin ishte parashikuar në zërin konsulencë/sondazhe shuma prej 5.000.000 lek, si dhe rishikuar më datë 20 shkurt 2016 dhe reflektuar me ndryshimet përkatëse dhe shtimin me 10.000.000 lek të zërit konsulencë/sondazhe,” tha LSI. (Kliko këtu për buxhetin e LSI)
“Në momentin e vlerësimit të ecurisë së kësaj kontrate nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim pas një periudhe tremujore, do të merret vendimi për vazhdimin ose jo të saj,” ajo përfundoi.
Sipas të dhënave të publikuara në projekt-buxhetin e vitit 2016 të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kontrata tre-mujore e konsulencës me GSIS do të konsumojë 26.1 për qind të buxhetit të kësaj partie gjatë këtij viti.
Në të shkuarën, partitë politike kryesore në Shqipëri si dhe qeveria shqiptare, kanë punësuar konsulentë të kushtueshëm në Uashington për të ndikuar mbi qëndrimet e Departamentit të Shtetit, kontrata që janë shoqëruar gjithmonë me debate.
Lëvizja Socialiste për Integrim punësoi DUTKO Worldwide, LLC në vitin 2009 para zgjedhjeve parlamentare, me një kosto prej 30 mijë dollarësh në muaj për periudhën nga 1 marsi deri në 30 qershor të atij viti, që përkon me zgjedhjet parlamentare. (Kliko këtu për dokumentin)
Në vitin 2010, LSI punësoi Blue Star Strategies, LLC për 22,500 dollarë në muaj. (Dokumenti)
Ndërsa qeveria e Berishës punësoi Podesta Group me një kontratë prej 60 mijë dollarësh në muaj, zyrtarisht për të mbështetur politikat e qeverisë. Gjithsesi, më pas u zbulua se lobuesi i paguar me paratë e shqiptarëve në emër të qeverisë, kishte punuar për të krijuar lajme denigruese për Edi Ramën, në atë kohë kreu i opozitës.
Partia Socialiste punësoi lobuesin Rasky Baerlain, e cila, në atë kohë, dërgoi me dhjetëra kërkesa në median ndërkombëtare në vitin 2010 në përpjekje për të organizuar intervista dhe për të promovuar mbulimin e krizës politike në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH


