Petrit Vasili për qëndrimin e Ramës: Ai nuk do Europën, por do sulltanatë
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar qëndrimin që mbajti kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Vasili thotë se sot Rama e ritheksoi se nuk e do Europën, por do sulltanatë. ”Për Edi Ramën dhe pazaret e tij, Europa është e urryer dhe sigurisht e fundit. Prandaj ai godet, ofendon, pengon, përdor gjuhë ordinere ndaj Europës, që të pengojë demokracinë europiane, funksionimin e shtetit ligjor europian dhe barazinë europiane para ligjit që të hyjë në Shqipëri”.
Postimi i plotë nga Petrit Vasili
Ky është fundi, Rama vë shenjën e barazimit mes Bashkimit Europian dhe Turqisë!
Rama tha sot: “Jo, ne jemi me Shqipërinë as me BE e Turqinë e pikërisht se jemi me Shqipërinë, mos harrojmë që BE pa Turqinë, do të ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot për keq. Turqia është një valvul e paçmueshëm për sigurinë për BE”.
Rama e kam thënë kaq herë që e urren në mënyrë patologjike Europën dhe integrimin e Shqipërisë në BE, por sot ai i vuri vulën. Jo lum miku për shqiptarët, Europa është absolutisht dhe përjetësisht e para.
Për Edi Ramën dhe pazaret e tij, Europa është e urryer dhe sigurisht e fundit. Prandaj ai godet, ofendon, pengon, përdor gjuhë ordinere ndaj Europës, që të pengojë demokracinë europiane, funksionimin e shtetit ligjor europian dhe barazinë europiane para ligjit që të hyjë në Shqipëri. Ai nuk do Europën por do sulltanatë!
Shqiptarët kanë parë nga perëndimi, që në kohën e Skëndërbeut dhe në perendim ata gjetën mbështetje kur hordhite gjakatare osmane u derdhen mbi Shqipëri. Pas viteve 90′ perëndimi hapi dyert për qindra mijëra shqiptarë dhe po perëndimi ishte këtu edhe me bukë dhe me ushtri në 1991 dhe 1997 në ditët më të vështira. Që të vësh shenjën e barazisë mes Europës dhe Turqisë, vetëm një si Edi Rama mund ta bëjë.