Petrit Vasili: Shërbimi dhe punësimi, motoja jonë jo vetëm në këto katër vite që vijnë
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Fierit, z. Petrit Vasili dhe z. Robert Bitri, kanë prezantuar kandidatët e LSI-së për këshillin bashkiak të Fierit. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Fier, z. Armando Subashi.
Në fjalën e tij z. Vasili theksoi se me kandidatin e “ASHE”-së, z. Armando Subashi, Bashkisë së Fierit do t’i garantohen më shumë punësime dhe shërbime.
“Sot e kemi instrumentin, kemi Aleancën për Shqipërinë Evropiane, kemi votat e duhura, kemi edhe kryetarin e duhur. Ne sot shkojmë çdo komunë, në çdo takim, në çdo cep të Fierit dhe flasim vetëm për një gjë; flasim për më shumë shërbime dhe për më shumë punësim. Nuk mund të mos ketë punësim kur qyteti lulëzon, nuk mund të mos ketë punësim kur bujqësia ecën shumë më mirë dhe transformohet. Prandaj shërbimi dhe punësimi do të jenë motoja jonë, jo vetëm në këto katër vite që vijnë, por do të jetë motoja e kësaj aleance e cila do të rrijë shumë gjatë në pushtet”, – është shprehur më tej kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili.
Në vijim të fjalës së tij, z. Vasili, shprehu bindjen se pjesëmarrja e rinisë së LSI-së në listat për Këshilltarë të Bashkisë së Fierit janë një potencial më shumë në këto zgjedhje. “Ne kemi një binom, që lidhja e shkurtër që qeveria vendore, Armando Subashi në Fier dhe Edi Rama në Tiranë, dhe këshilli bashkë të jenë 24 orë në komunikim me njëri-tjetrin dhe problemet të marrin atë zgjidhje që duhet. Kam kënaqësinë që në listën e këshilltarëve të LSI-së ndodhen së bashku themelues të LSI-së dhe njerëz më të rinj. Kjo është një rrugë e bukur e gjatë që e kemi bërë së bashku duke pasur vetëm një bindje që në trapezën tonë zemërgjerë dhe zemërhapur ka vend gjithmonë për një njeri që vjen me zemër të hapur. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Jam i lumtur që LSI-ja ka atë rini që ka pasur dhe ka, që jo vetëm e kanë zili të gjithë, por na rinon të gjithëve. Forca e tyre është forca e freskisë, forca që nuk lë as drejtuesit dhe pushtetin të myket, është forca që i trysnon pozitivisht dhe u jep që të kuptojnë që po ecni ngadalë dhe duhet të ecni shumë më shpejt sesa sot. Me moton të ecim më shpejt për më shumë shërbim dhe punësim, ne më 21 qershor vetëm do të formalizojmë një fitore shumë të madhe dhe të nesërmen do të përveshim mëngët që t’u japim qytetarëve të Fierit atë që u ka munguar. Fitore Armando Subashit dhe fitore LSI-së”, – tha kryetari i grupit parlamentar të LSI-së.
Ndërkohë, deputeti i LSI-së për qarkun e Fierit, Robert Bitri, është shprehur në fjalën e tij se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” i ka të gjitha potencialet për ta zhvilluar Bashkinë e Fierit në shërbim të qytetarëve për më shumë shërbime dhe punësim.
“Sot jemi mbledhur për të prezantuar pranë LSI-së, pranë këtij grupimi shumë të madh bashkëqeverisës kryetarin e bashkisë Fier. Ne të gjithë të bashkuar do të arrijmë të dyfishojmë përqindjen në këshillin bashkiak. Ky do të jetë dhe objektivi jonë. LSI-ja duke qenë në qeverisjen e ASHE-së, në këto zgjedhje hyn së bashku me PS me një kandidatë të përbashkët, kandidati i majtë në Bashkinë Fier është Armando Subashi. Ai është një socialist, që do të mbrojë ngjyrat tona, do t’i mbrojë me dinjitet ashtu siç është personaliteti i tij. Armando është një djalë fierak, i cili ka rritur të gjitha rezultatet pozitive dhe shumë të rëndësishme në profesionin e tij si jurist. PS-ja dhe LSI-ja, e panë të arsyeshme që përfaqësuesi i tyre për Bashkinë e Fierit të zgjidhet Armando Subashi, i cili më 21 qershor do jetë ‘de juro’ kryetari i ri i kësaj bashkie. Gjithashtu, ne do të kemi dhe përfaqësuesit tanë në Këshillin Bashkiak, të cilin ne e zgjodhëm gjithëpërfshirës ku ka brenda tij të rinj, gra e të reja, të rinj e punëtorë, të gjithë këta përfaqësues të denjë të LSI-së. Prandaj duhet që më 21 qershor, ne të votojmë Armando Subashin për kryetar bashkie dhe numrin 47”, – theksoi z. Bitri.
Fjalën në këtë takim e ka marrë edhe kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Fier, Armando Subashi, i cili ka deklaruar se me ndarjen e re territoriale Bashkia e Fierit do të jap më shumë shërbime më qytetarët dhe se dera e saj do të jetë gjithmonë e hapur.
“Bashkia e madhe që është krijuar, është një bashki e cila nesër na vë përballë sfidave shumë të mëdha, por na vë edhe përballë përgjegjësive shumë të mëdha, pasi bashkimi i kësaj bashkie me nëntë komuna në bashkinë e madhe, sigurisht që na ofron mundësi pa fund për të zgjidhur problemet që ne kemi sot, për të zgjidhur hallet që ka fshati, për të zgjidhur problematikat që ka fermeri. Dy ishin arsyet që ne vendosëm të bëjmë reformën territoriale. Së pari, përmbushja e gjithë detyrimeve që bashkitë dhe komunat kishin në territor ndaj njerëzve për rrugën, ujin, kanalizimet, ujësjellësit, për kopshtet dhe çerdhet. Dhe së dyti, që nëpërmjet politikave dhe vendimmarrjeve të veta të bëjmë më shumë zhvillim ekonomik në zonat e veta. Unë jam i bindur që bashkia jonë e madhe nesër të dyja këto do t’i zhvillojë me sukses. Jam i bindur që me mbështetjen e këshillit bashkiak, dhe padyshim me mbështetjen tuaj, për rilindjen e qytetit të Fierit, ne do t’ia dalim. Do t’ia dalim pasi aleanca jonë është aleancë fituese, dhe sigurisht që të gjithë së bashku jo vetëm do t’i fitojmë zgjedhjet, por do ta rilindim këtë qytet. Në fakt kemi dy sfida përpara, atë që ka të bëje me 21 qershorin, dhe sfidën e 4-vjeçarit, që ka të bëjë me mirë qeverisjen. Ndoshta dikush mund të thotë “çfarë sfide mund të kemi me 21 qershor, këtu është e fituar.” Sigurisht që është e fituar, por ne sfidën e kemi me vetë veten, nuk e kemi me kundërshtarin, dhe sfida me vetë veten ndonjëherë është sfidë më e fortë dhe më e motivuar se sa sfida me kundërshtarin. Dhe padyshim sfida jonë është që të realizojmë një rezultat sa më spektakolar në Fier, për të treguar mbështetjen e gjithë qytetarëve fierake për qeverinë tonë, për aleancën tonë, për reformat që kemi ndërmarrë. Unë ju premtoj që dera e bashkisë do të jetë gjithmonë e hapur për çfarë do hall apo shqetësim që të keni”, – ka deklaruar në fjalën e tij kandidati i ASHE-së për bashkinë Fier, z. Subashi.