Petrit Vasili: Skandal! Kushtetuesja bllokoi pyetjen drejtuar Komisionit të Venecias për dekretin e Presidentit Meta

Nga Petrit Vasili

Skandali, Kushtetuesja bllokoi pyetjen e Shoqatës së Bashkive për Komisionin e Venecias!!!
Thellohet skandali.
Pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votimet moniste të 30 qershorit, ku kjo Gjykatë thjesht zbardhi kërkesën e Qeverisë, një tjetër fakt tepër i rëndë kompromenton akoma më shumë këtë vendim dhe pikërisht bllokimin nga Gjykata Kushtetuese të pyetjes, që Shoqata e Bashkive kërkoi që t’i bëhej Komisionit të Venecias.
Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 36 datë 4.11.2021 (V-36/21) pohon me gojën e saj:
🟥 “13.Gjykata, pasi dëgjoi parashtrimet dhe prapësimet e palëve pjesëmarrëse në gjykim, në përfundim të seancës plenare u tërhoq në dhomën e këshillimit dhe bazuar në nenin 44/b të ligjit nr. 8577/2000, vendosi të pezullojë shqyrtimin e çështjes dhe t`i drejtohet Komisionit të Venecies si organ këshillimor i specializuar për dhënien e një opinioni amicus curia në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim. Në marrjen e këtij vendimi Gjykata vlerësoi interesin publik dhe rëndësinë e kësaj çështjeje, duke pasur parasysh natyrën e pretendimeve dhe të të drejtave kushtetuese të përfshira, si dhe rolin e procesit zgjedhor në jetën politike e sociale të vendit e parimet themelore demokratike që duhet të ndjekë dhe respektojë ai. Për këtë qëllim ajo u njohu edhe palëve në gjykim të drejtën për të propozuar pyetje, duke përcaktuar afatin për paraqitjen e tyre”.

Pra siç e shihni të gjithë Gjykata Kushtetuese u njohu edhe palëve në gjykim të drejtën për të propozuar pyetje, duke përcaktuar afatin dy ditor për paraqitjen e tyre deri në datë 25 qershor të vitit 2021.
Në përputhje të plotë me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, Shoqata e Kryetarëve të Bashkive, që ishte njëkohësisht pale kërkuese ka depozituar edhe pyetjen e saj.
Po cila ishte pyetja, që i dhëmbi kaq shumë Gjykatës Kushtetuese sa që ajo e bllokoi dhe në mënyrë tërësisht antiligjore dhe arbitrare, bile edhe në kundërshtim me vendimin, që mori po vete, dhe nuk e dërgoi në Komisionin e Venecias.
Ja pyetja e Shoqatës së Bashkive:
🟥 “A është Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ai për anulimin e saj, një akt me karakter të përgjithshëm ose akt normativ kushtetues apo është një akt administrativ nënligjor individual dhe në çdo rast, a mund të refuzohej zbatimi i tyre nga KQZ sikurse ka ndodhur, apo duhej që këto dekrete t’ju nënshtroheshin vlerësimit mbi kushtetushmërinë vetëm nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e kërkimeve të subjekteve që kishin pretendime në përputhje me kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të kësaj gjykate”?

Aq e vërtetë është kërkesa e Gjykatës Kushtetuese për të bërë pyetje Komisionit të Venecias sa që Presidenti i Republikës si subjekt i interesuar i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese me shkresën Nr.2011/1 date 25.06.2021:
🟥 “Ndërsa, për sa i takon Presidentit të Republikës, si palë dhe subjekt i interesuar në këtë gjykim, shprehemi se, nuk kemi asgjë të paqartë lidhur me çështjen objekt shqyrtimi, argumentat e paraqitura para Gjykatës Kushtetuese janë tejet shteruese, rrjedhimisht nuk kemi pyetje për t’ia adresuar Komisionit të Venecias lidhur me çështjen e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, antikushtetutshmëria e të cilit është objekt shqyrtimi nga ana juaj. Presidenti i Republikës i qëndron tërësisht parashtrimeve të paraqitura zyrtarisht dhe me shkrim përpara Gjykatës Kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese i dergoi Komisionit te Venecias vetëm tre pyetjet e saj dhe qe i bënin fresk 30 qershorit dhe bllokoi pyetjen shumë thelbësore të Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive.
Bllokimi i pyetjes së Shoqatës së Bashkive, që ishte edhe kërkuesja e vetme, tregon qartë se gjithçka ishte një farsë e mirëmenduar.
Pyetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Venecias ishin thjesht një hipokrizi për të shpërndarë dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë së saj për të marrë vendimin për votimet moniste të 30 qershorit dhe veprimet antikushtetuese dhe antiligjore te institucioneve.
Ky Skandal provon qartë se gjithçka ka qenë pjesë e një strategjie të qartë mes Gjykatës Kushtetuese dhe Qeverisë në shërbim të kësaj të fundit, që votimet moniste të 30 qershorit 2019 të mos prekeshin.
Zhgënjim i madh për këdo që ka pasur iluzione për drejtësinë e re.
Gjykata e mëparshme Kushtetuese ka dhënë dhjetëra vendime kundër qeverive qofshin të majta a të djathta.
Ndërsa Gjykata aktuale Kushtetuese u rrëzua dhe ju dorëzua kokë e këmbë Qeverisë që në provën e parë.
P.S. Me poshtë me foto jane dokumentet origjinale që provojnë skandalin.

SHKARKO APP