Pezullimi i fondeve për Bujqësinë, Basha: Do kërkojmë ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend

Fondet e IPARD për bujqësinë do të jenë beteja e radhës për opozitën në vjeshtë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një reagim në mediat sociale njoftoi se në nisje të sesionit të ri parlamentar do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për fondet e IPARD. Sipas tij, komisioni do të kërkohet për të zbardhur se ku kanë shkuar fondet për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën për qytetarët.

“Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.

Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë. Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.

Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin”, shkruan Basha.

SHKARKO APP