Piktori ka hallin si ta bëjë Serbinë me det dhe jo Shqipërinë shtet

Nga: Kim Mehmeti

Piktorit të ‘Rilindjes’ mundet shumëçka t’i mohohet, por jo e vërteta se si rrallëkush e dinë sa shpifje e gënjeshtra publikohen nëpër mediat shqiptare. E si mundet këtë të mos e dijë kryegënjeshtari, ai që vend pune i ka studiot televizive, nga kryesisht shpërndan lëvdata për vetveten e vjellë gënjeshtra, përbuzje e urrejtje për kundërshtarët e vet politik. Ai që thellë ne vetvete beson se një Shqipërie të vogël i bëjnë mirë dhe i mjaftojnë gënjeshtarët e ‘Rilindjes’, me të në krye. Si rrallëkush tjetër, Kryeministri i Shqipërisë e ndjenë kundërmimën dhe erën e keqe të ‘kazanit’ mediatik, sepse ai vet është gatesë e tij dhe i dalë nga ky kazan përplot me ‘llome’. Pastaj Piktori më së miri e njehë edhe dyfytyrësinë e gazetarëve, që të propozojnë t’i grumbullosh rreth vetes të gjitha ‘qelbësirat’ për ta mposhtur ‘doktorin’, e pastaj pyesin pse qelbet Shqipëria dhe bëhen se nuk e dinë pse kalbet shteti.

Mbase askush me mirë se Piktori nuk e dinë se ligji i tij ‘Kundër Shpifjes’ kurrë nuk do jetësohet dhe se nuk vlen as pesë lek, por ai atë ua dedikon gazetarëve frikacak e zhurmaxhinj. Si dhe të ngjashmëve me ata që i ka përreth vetes, të cilët janë ‘profesionistë’ e të sigurt në vetveten vetëm kur kanë mbështetjen e të pushtetshmit, të pasurit e të fortit. Pra me këtë ligj ai donë edhe më bindshëm t’i përbuzë publikisht gazetarët e ‘Rilindjes’, ata që paturpshëm e mbrojnë ligjin kundër vetvetes, që të shqyejnë kur ua kritikon Piktorin, por janë mirëkuptues dhe mendjehapur kur shanë çdo gjë shqiptare. Gazetarë që interes më të lartë profesionalë e kombëtarë kanë mbrojtën e xhiro llogarisë personale ku i ruajnë miliona eurot e fituar me pakurrizorërinë e vet.

Piktori si rrallë dikush tjetër e ka kuptuar se kur je burrështetas i paaftë për të ndërtuar shtet, atëherë prodho sa me shumë zhurmë dhe tollovi, sepse vetëm ashtu mund ta mbulosh se je e keqja e vendit. Andaj ligji ‘Kundër Shpifjes’, për Kryeministrin e Shqipërisë ka vlerë vetëm aq sa do nxitë debate televizive dhe zhurmë mediatike. Zhurmë që do e bëjë të padëgjueshme kujën e atyre që humbën të afërmit e vet nga tërmeti, vajin e familjarëve të mbetur pa shtëpi dhe dënesën e prindërve që i përcjellin fëmijët e tyre në kurbet.

Po, Piktori është nga të rrallët që ka të drejtë t’i urrejë gazetaret, sepse disa nga ata e gënjyen se është vlerë kombëtare, edhe pse e dinin se ky popull nuk e meriton të drejtohet nga një njeri i frustruar si ai. Pra Kryeministri i Shqipërisë, si rrallëkush e dinë të vërtetën se media posedon forcë që edhe një lopë ta ngre në rrafshin e vlerës kombëtarë, e le më një piktor të dështuar që ka guxim të del në plazh me prapanicën cullak, prandaj edhe donë të jetë ‘kryeredaktor’ i vetëm i tyre.

Pastaj, duke qenë në pushtet plotë njëzet vite, Piktori si rrallëkush kishte mundësi ta shihte se gazetarët pakurrizorë, e jo ata të dinjitetshmit e të përgjegjshmit, prodhojnë e mirëmbajnë diktatorë e regjime. Ta kuptojë pra se vetëm me ndihmën e atij lloje gazetarësh mund të mbijetojnë edhe burrështetasit si ai. Dhe rrallëkush si Piktori e ka kuptuar se kur je burrështetas i dështuar, atëherë bënë çmos që mediat të merren me ty, e jo me shtetin që drejton. Sepse vetëm ashtu mund ta mbulosh se vendin e ke shndërruar në shkretëtirë dhe ta fshehësh të vërtetën se shteti është në duart e vëllazërisë politiko-kriminele.

Kryeministri i Shqipërisë mbetet i përkushtuar në realizimin e projektit serb për ‘Mini Shengenin’ ballkanik edhe pa pjesëmarrjen e Kosovës. Pra, ai vazhdon të takohet me presidentin e Serbisë edhe pse mysafiri i tij nga Beogradit nuk e konsideron krim vrasjen e shqiptarëve. Pastaj ecë e mos thuaj se ndoshta Piktori edhe nuk ka obligim tjetër përpos Beogradin ta bëjë kryeqendër të Ballkanit. Dhe ecë e mos dysho se mbase ai edhe nuk e ka hallin si ta bëjë Shqipërinë shtet, por si ta bëj Serbinë me det e me Durrës!

SHKARKO APP