Piktori kryeministër përfaqëson mendësinë politike serbe të Vuçiçit
Nga Kim Mehmeti
Gjatë historisë së kombit tonë, kurrë nuk ka munguar ndonjë mbret serb që ta ndihmojë mbretin shqiptar ta rikthejë fronin e humbur në Tiranë.
Siç nuk ka munguar ndonjë Mugosh, që t’ua zgjedhë shqiptarëve sekretarin e parë të Partisë Komuniste dhe siç nuk mungon sot një Vuçiç, që është vëllazëruar me Piktorin e Rilindjes.
Dhe gjithë këta, mbretër, komunistë e demokratë serbë, kanë bërë çmos të vëllazërohen me sunduesit e Tiranës, sepse vetëm ashtu kanë mundur ta mbajnë nën thundrat e veta Prishtinën dhe shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të mëmëdheut.
Dhe ata mbretër, komunistë e demokratë serbë, thuajse gjithmonë a kanë përcaktuar sjelljen e Tiranës ndaj Prishtinës, apo sjelljen e burrështetasve të Shqipërisë ndaj shqiptarisë.
Shpeshherë në të shkuarën, njësoj si edhe sot, Tirana zyrtare më shumë ka mbajtur llogari mos bëjë ndonjë veprim që do e irritojë Beogradin, se sa çfarë efekti do ketë për shqiptarinë.
Kjo që u tha më lart ka për qëllim që atyre që harrojnë shpejt, t’ua rikujtojë se është sekret publik shkaku i mospajtimit mes Prishtinës së zonjës Osmani dhe Tiranës së Piktorit.
Pra dihet se Piktori e përkrah projektin e ashtuquajtur serb “mini shengeni ballkanik”, siç e përkrah edhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq Prishtina e zonjës Osmanit, e kundërshton këtë projekt dhe idenë për korrigjim e kufijve.
Andaj Piktori e ka të pamundur të dëgjojë si Vjosa e Kosovës, në parlamentin e Shqipërisë, e shpalos të vërtetën se ‘mini shengeni ballkanik’ është projekt që e ringjall ‘Serbosllavinë’, projekt nëpërmjet të cilit Serbia dëshiron ta rikthejë kontrollin e vet mbi republikat e Jugosllavisë së dikurshme, që me decenie i kishte nën kontroll, e mbi të gjitha Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.
E ndërkohë, duke e përdorur Shqipërinë si mbulesë sipas asaj thënies – “që vllehët të mos e kuptojnë se çka është duke u bërë Serbi”.
Dhe kështu vizita e zonjës Osmani në Tiranë ishte shumë e vlefshme, sepse në mos më shumë, shpalosi diçka shumë të turpshme: se si shumë herë më parë, edhe sot, politikanët shqiptarë hidhërohen me njëri vetëm për ta dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Beogradit.
Dhe shpalosi se ka filluar beteja mes një gjenerate dinjitoze politikanësh shqiptarë, politikanësh që kanë bosht të fortë kurrizor njerëzor e kombëtar, siç është zonja Osmani, kundër një klase politike pa ndjenja kombëtare dhe thuajse me mendësi politike serbe, e përfaqësuar nga Piktori.