Pjesëmarrje masive në zgjedhjet e LSI. Monika Kryemadhi: Pres me padurim zgjedhjen e ekipit të ri drejtues

Prej orës 09:00 në gjithë vendin kanë nisur zgjedhjet për strukturat drejtuese të LSI. Të dhënat që raporton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve flasin për një pjesëmarrje masive të anëtarësisë së kësaj force politike në votime.  Për herë të parë votimet në një parti politike bëhen online. Ndërkohë që pamjet e transmetuara nga mediat në qendrat e votimit tregojnë se veç votimeve online, një numër jashtëzakonisht i madh kanë marrë pjesë dhe në votimet tradicionale me kuti votimi.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi votoi sot në njësinë Nr.5 në Tiranë. Kryemadhi ka folur për mediat pas votimit në zgjedhjet brenda partisë që do përcaktojnë strukturat drejtuese të kësaj force politike.

Kryemadhi e vlerësoi si të jashtëzakonshme pjesëmarrjen në votimet e para elektronike të një partie në Shqipëri, duke shtuar se LSI është e para parti që ka futur votimin një anëtar një votë, kuotat gjinore 50 për qind dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat drejtuese.

“Sot unë dhashë një votë si të gjithë anëtarët e tjerë të LSI. Ndjej kënaqësi që në listën për delegatë shikoj shumë gra dhe të rinj që i janë bashkuar LSI gjatë kohës së opozitës. Unë sot kandidoj për t’u riemëruar, por po pres me padurim zgjedhjen e strukturave drejtuesve që do dalin nga ky proces, që do drejtojnë LSI-në në misionin kombëtar për t’u dhënë shqiptarëve punësim, arsimin e merituar, dhe standard jetese.

Doja të kisha një përgëzim për votimin online, që ka qenë i jashtëzakonshëm, edhe për shumë të rinj dhe të reja që janë në emigracion dhe do të kthehen. Jam i lumtur për ata të rinj që kanë pushtuar zyrat e LSI me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. Ekipi i LSI me studentët e LRI i kanë dhënë mesazh politikës shqiptare. Për të realizuar zgjedhje të lira do të thotë të duash vendin tënd. Rinia shqiptare jo vetëm është energjia, është zemra e popullit shqiptar”, u shpreh Kryemadhi.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP